Banorët e “Irfan Tominit” bllokojnë rrugën
17/06/2005 Banorët e pallateve në rrugën “Irfan Tomini” pranë shkollës Teknologjike, që janë rrethuar nga ujërat e zeza, kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën sot në shenjë proteste ndaj indiferencës së organeve shtetërore. Janë rreth 200 banorë që do të bllokojnë rrugën. Banorët janë alarmuar, pasi thone se kanë filluar simptomat e para të infeksionit te fëmijët. Qëndrimi i ujërave të zeza për një kohë të gjatë i ka frikësuar edhe për shembjen e pallatit, pasi thonë që acidet mund të gërryejnë themelet. Ndërkohë dy ditë më parë, Instituti i Shëndetit Publik bllokoi furnizimin me ujë të pijshëm të këtyre familjeve, pasi dhe atje kishin inteferuar ujërat e zeza. Në Bashkinë e Tiranës është bërë gati projekti për ndërtimin nga e para të sistemit të kanalizimeve. Madje është gjetur dhe një firmë e specializuar, që do të kryej punimet për të cilat nevojitet të çahen rrugët e saporikonstruktuara. Por, bashkia do ndëshkojë firmën e ndërtimit, duke i kaluar faturën e të gjitha shpenzimeve. Nuk është hera e parë që ky bllok pallatesh përmbytet. Çdo herë është e njëjta skenë, vetëm se këtë herë bllokimi i tubacioneve po zgjat mbi një javë. Problemi është se firma e ndërtimit i ka ndërtuar tubacionet nën nivelin e lumit të Lanës, ku dhe derdhen. Ndërkohë këto pallate kanë gati pesë vite që janë ndërtuar dhe po kaq vite kanë që vuajnë këtë problem. Ndërkohë, firma e ndërtimit duhet të marrë përsipër detyrimet për rindërtimin e rrjetit inxhinierik dhe zhdëmtimin e banorëve.