E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimorët, bizneset VIP gati pagesën e dividentit

17/06/2005  Deri në 31 korrik, bizneset duhet të deklarojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin

Som “Në rastet kur tatimpaguesi nuk e depoziton deri më 31 korrik në Degën të Tatimeve përkatëse, vendimin e organit kompetent për fitimin pas tatimit, atëherë i gjithë ky fitim, pa përfshirë rezervat e domosdoshme ligjore, do të konsiderohet automatikisht dividend për t’u shpërndarë dhe do të tatohet, sipas po këtij ligji, në masën 10%”

Bizneset e mëdha duhet të vendosin deri në datën 31 korrik se çfarë do të bëjnë me fitimin që u shpërndahet aksionerëve dhe të lajmërojnë autoritetet fiskale. Sipas ligjit mbi pagimin e taksës së dividentit të miratuar në paketën fiskale, kompanitë duhet të bëjnë bilancin e gjashtëmujorit dhe të caktojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin, do ta riinvestojnë apo do ta ndajnë mes ortakëve. Në rastin e dytë, kjo pjesë fitimi do të tatohet me 10 për qind dhe kompanive u takon ta bëjnë këtë deklaratë deri më 31 korrik.

“Deri më 31 korrik, këta tatimpagues janë të detyruar në bazë të ligjit, të depozitojnë pranë administratës tatimore, vendimin e organit kompetent vendimmarrës të shoqërisë, për përdorimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës”, ka bërë të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Tatimpaguesit që janë subjekt i tatimit mbi fitimin, pas shlyerjes së këtij detyrimi në organet tatimore, brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, janë të detyruar në bazë të ligjit mbi të ardhurat, të miratojnë rezultatet financiare të vitit paraardhës.

Kështu, ligji i tatimit mbi të ardhurat, kërkon që në rastet kur tatimpaguesi nuk e depoziton deri më 31 korrik në degën e tatimeve përkatëse, vendimin e organit kompetent për fitimin pas tatimit, atëherë i gjithë ky fitim, pa përfshirë rezervat e domosdoshme ligjore, do të konsiderohet automatikisht dividend për t’u shpërndarë dhe do të tatohet, sipas po këtij ligji, në masën 10%.

“Çdo zvogëlim kapitali, i cili nuk ka për qëllim të mbulojë humbjet dhe nuk përbën kontribut në të ardhurat e pronarëve, do të konsiderohet dividend i tatueshëm”, ka bërë të ditur në një njoftim për shtyp Drejtoria e Tatimeve. Në këtë rast, tatimi duhet të mbahet në burim dhe derdhet nga shoqëria në favor të degës së tatimeve përkatëse brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit për zvogëlimin e kapitalit. “Për të evituar shkeljet e legjislacionit nga ana e tatimpaguesve për mosnjohje apo për mungesë informacioni për afatet kohore, do të ushtrohen vizita fiskale dhe kontrolle nga organet tatimore për të bërë të mundur arkëtimin në kohën ligjore të dividentit”, kanë deklaruar tatimorët.

KESH do të drejtohet nga dr.ing.Fatmir Hoxha

Emërohet drejtori i ri i KESH–it

Ish-drejtori i KESH-it, Andis Harasani, do të zëvendësohet nga një doktor i shkencave inxhinierike, që është përzgjedhur nga qeveria për të drejtuar Korporatën Elektroenergjetike. Fatmir Hoxha do të jetë drejtori i ri i KESH-it. Emërimin e tij e ka komunikuar dje ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli, së bashku me ministrin e Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda dhe ish-drejtorin e mëparshëm, Andis Harasani. “Fatmir Hoxha është një person me 27 vjet karrierë në fushën energjetike dhe në momentin e fundit ka qenë drejtor i Investimeve”, ka prezantuar ministri i Ekonomisë, Angjeli, drejtorin e ri. Angjeli nuk ka harruar të kujtojë arritjet që ka patur KESH në kohën që drejtohej nga Andis Harasani.

“Unë dua të vlerësoj punën e shkëlqyer të Harasanit, në drejtimin e kompanisë energjetike dhe të rideklaroj edhe njëherë atë transformim të madh që pësoi KESH-i nën drejtimin e Harasanit në të gjitha aspektet, si në drejtim të risktrukturimit, ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të situatës së investimeve në KESH, veçanërisht të furnizimit me energji elektrike të popullsisë e të nevojave të ekonomisë”, ka deklaruar Angjeli.

Ndërkaq, drejtori Fatmir Hoxha ka bërë të ditur përpara stafit të KESH-it dhe shtypit, drejtimet ku do të përqëndrojë punën e tij. “Tre janë drejtimet kryesore, ku do të përqëndrohet puna e stafit menaxhues të KESH-it, rritja e vazhdueshme e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve dhe rritja e sasisë së energjisë elektrike në treg si dhe ristrukturimi i mëtejshëm i kompanisë në përputhje me kërkesat e tregut të energjisë dhe të strategjisë së zhvillimit të sektorit”, ka deklaruar Fatmir Hoxha, drejtori i ri i KESH–it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›