E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk do bëhet dallime mes zonave në investime

17/06/2005  Topi takim me votuesit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, ka zhvilluar një takim me banorët e zonës elektorale numër 31, ku ai kandidon për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, ku u ka premtuar banorëve më shumë investime në infrastrukturë dhe ulje të nivelit të varfërisë. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i PD-së ka sulmuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur fajtorin kryesor për problemet, me të cilat përballet kjo zonë. “Kjo zonë, që përbëhet si nga lagje të vjetra ashtu edhe të reja, nuk mund të pranojë faktin e diferencave të thella që konstatohen, madje edhe në vetë aksin kryesor të kryeqytetit, në një distancë gjeografike jo më shumë se disa qindra metra, me krahun tjetër të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke treguar kështu shembullin më të qartë të kanalizimit të investimeve, jo vetëm nga qeverisja qendrore, por edhe ajo lokale, vetëm në zonën e Tiranës së Re, aty ku ka shpirtin dhe nostaligjinë e kohëve të shkuara”, tha Topi. Sipas tij, sistemi i pavarur i drejtësisë, që do të aplikojë opozita, në rast se fiton zgjedhjet, nuk ka për qëllim “gjuetinë e shtrigave”, por ndëshkimin e personave që i fshihen taksave dhe shkaktojnë evazion fiskal. Kandidati demokrat akuzoi organet e rendit si të implikuar në aferat korruptive, duke sjellë si shembull kapjen e konteinierëve me cigare kontrabandë, kapje që u realizua nga shërbimet e huaja dhe aspak nga policia e shtetit, apo e autoriteteve portuale, fakt që tregon edhe njëherë se në një rrjet të tillë kontrabande janë përfishirë zyrtarë të lartë të qeverisë, që, sipas Topit, korrupsionin e kanë kthyer në modë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›