E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Berluskoni të mos lejojë valën antishqiptare

17/06/2005  Kreu i PD-së kërko ndjesë për vrasjen e të riut italian

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me elektoratin e zonës së tij në Kavajë, i ka bërë thirrje Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, të mos lejojë nxitjen e racizmit ndaj shqiptarëve, duke i kërkuar njëkohësisht falje dhe familjes së të riut italian të vrarë para pak ditësh në Varese, të Italisë, pas një konflikti me disa emigrantë shqiptarë. “Sot fati i të rinjve shqiptarë është më tragjiku në Evropë. Disa ditë më parë, një i ri shqiptar kreu një vrasje makabër në Varese të Italisë. Unë i kërkoj ndjesë të thellë në emrin tuaj familjes së të riut italian. Po ashtu, unë i bëj thirrje qeverise italiane dhe mikut të madh të Shqipërisë, Kryeministrit Berluskoni, për të mos lejuar valën e racizmit antishqiptar”, tha Berisha. Sipas kreut demokrat, shkaku i vërtetë i fatit tragjik për të rinjtë shqiptarë gjendet te varfëria e vendit të tyre, që vjen si pasojë e politikave qeverisëse. “Shkaku i vërtetë, shkaku themelor i këtij fati tragjik për të rinjtë shqiptarë gjendet te politika çnjerëzore e qeverisë së vendit të tyre, te monopolet dhe varfëria që ato pjellin, duke i detyruar këta të rinj të braktisin vendin e tyre. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të mos eksportojë krim, por të shndërrohet në një vend partner të Italisë mike”, tha Berisha. Lideri i PD, gjatë fjalës së tij, ripërsëriti dhe një herë premtimin e PD për arsimimin e të rinjve shqiptarë dhe hapjen e vendeve të punës me qëllim që ata ta shohin të ardhmen në vendin e tyre. “Ndaj dhe ne zotohemi para jush, para të rinjve shqiptarë se përkushtimi ndaj problemeve dhe pasioneve të tyre do të jetë në qendër të vëmendjes sonë. Ne zotohemi se Shqipëria nuk do të jetë më vend i fëmijëve të braktisur, sepse ata do të kenë mbrojtjen e plotë të shoqërise dhe qeverisë sonë”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›