E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Kamzës, Paskuqanit, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Elbasanit, Shkodrës që marrin lejen e legalizimit



Në kuadër të përmbylljes së procedurave të kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore, tek poseduesit e objekteve informale, Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij djeshme miratoi vendimin për kalimin e të drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për 7516 pasuri informale me siperfaqe të përgjithshme 2 442 563.25m², të cilat u përkasin rreth 8 500 familjeve. Me këtë vendim përfundon procesi i kryerjes së kalimit të pronësisë për zonat masive informale që gjenden brenda territoreve administrative të bashkive të mëdha, si në atë të Tiranës, zonat suburbane si Kamëz e Paskuqan, Bashkinë Durrës, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Lushnje etj,. Miratimi i kalimit të së drejtës së pronësisë përbën përfundimin e një faze të rëndësishme, voluminoze dhe decizive të procesit të legalizimit, duke i lenë vend pajisjes me leje legalizimi dhe përfshirjes së tyre në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Objektet informale të trajtuara në këtë vendim janë ngritur pjesërisht në troje pronë shtetërore dhe pjesërisht në territore të papërfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Gjithashtu, një tjetër kategori pasurish që trajtohen në këtë vendim janë shtesat anësore informale në ndërtime me leje. Për këtë kategori ndërtimesh, autoritetet e përcaktuara nga ligji, ALUIZNI dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore kanë kryer të gjitha procedurat tekniko – ligjore, për përditësimin dhe plotësimin e dosjeve të legalizimit, për secilin objekt dhe kanë përfunduar procedurat kualifikuese për legalizim të tyre.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›