Banorët e Kaninës: Po na vjedhin kalanë
Një grup banorësh të Kaninës i kanë dërguar përpara disa ditësh një letër Kryeministrit Sali Berisha, me anë të së cilës veç të tjerash japin alarmin për cenimin e kalasë së fshatit. Banorët, që më së shumti ankohen për kryetarin e Komunës Qendër Vlorë dhe zyrtarë të tjerë, i shkruajnë Berishës se kalasë po i nxirren gurët e themelit
RrugaSpecialisti i monumenteve të kulturës në Rrethin e Vlorës, Novruz Bajrami, thotë se asnjë rrezik nuk i kanoset aktualisht kalasë së Kaninës, së cilës tashmë i ka mbetur pak gjë për t’u prishur. Bajrami thotë se në kalanë e Kaninës po bëhet një investim i Bankës Botërore dhe Komunës Qendër. Ky është investimi i parë për këtë kala dhe konsiston në rehabilitimin e një rruge këmbësorësh me gjatësi 180 metra e gjerësi 2 metra, rrugë që nga vendësit njihet si “Hyrja e Beut”. “Ne si drejtori e Monumenteve të Kulturës po i përmbahemi rrugës së vjetër në bazë të skicave të vjetra që kemi në dispozicion, pasi ajo ka qenë e shkatërruar totalisht. Aty po bëhet një punë serioze, por komuniteti ka dhe pretendime, pasi e do rrugën të gjerë për të shkuar në shtëpitë e tyre me automjete, gjë që është e pamundur për shkak të karakterit monumental që ka kjo rrugë”, thotë Novruz Bajrami.
GurëtPor, përveç kërkesës për rrugë më të gjerë, banorët pretendojnë se gjatë punimeve janë dëmtuar objektet arkeologjike që janë zbuluar aty, si gurë me mbishkrime, gurë që janë marrë për ndërtimin e rrugës etj. Po ashtu, këta banorë kanë ngritur akuza se për ndërtimin e rrugës po përdoren gurë nga muret e kalasë. Sipas përfaqësuesit të Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës, këto akuza janë të pavërteta. “Gurët me të cilët po ndërtohet rruga janë marrë nga brenda kalasë, por jo nga muret e vjetra të saj, por nga rrënojat e disa depove ushtarake dhe ndërtimeve të tjera të vona”, thotë Bajrami. Sipas tij, gjatë punimeve nuk është gjetur asnjë gur me mbishkrime. Ai thotë se për të inspektuar punimet kanë shkuar në Kaninë edhe specialistë nga Tirana, si Apollon Baçe, i cili ka parë nga afër situatën.
ShkatërrimiSipas specialistit të monumenteve, Novruz Bajrami, kalaja e Kaninës është “masakruar” vite më parë, kur gurët e saj janë vjedhur e me to janë ndërtuar shtëpi, vila e gjithfarë objektesh nga banorë të Kaninës e të tjerë. “Që nga viti 1990 e deri më sot kjo kala është rrënuar më shumë nga banorët, se sa nga koha. Shumë shtëpi të fshatit, si ato në rrëzë të kalasë, ashtu edhe larg saj, janë ndërtuar me gurë të shkulur nga muret e kalasë. Ata që i kanë vjedhur këta gurë janë justifikuar se gjoja po ruanin identitetin e zonës, por kanë shkatërruar një vlerë kulturore të pariparueshme”, thotë Novruz Bajrami. Ai tregon se në vitin 1997, gurët e kalasë së Kaninës janë transportuar deri në breg të detit për të ndërtuar molet e paligjshme nga ata që zaptuan edhe detin. Përgjatë bregut në zonën e plazhit tek Akademia e Marinës janë bërë me këta gurë disa minimole ose rrethime.
#