E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata e fundit u bë për mbylljen e një pune

Dëshmia

Franc Konomi është ngritur nga tavolina e një lokali për shkak të një telefonate të marrë pak çaste para vrasjes. Një person ka dëgjuar gjithë bisedën e tij në telefonatën e marrë, kur 42-vjeçari sapo kishte porositur një ujë. Ky person është pyetur nga policia dhe ka treguar se me aq sa kishte dëgjuar, i kishin kërkuar të shkonte sa më shpejt, ndërkohë që Konomi sapo ishte ulur në lokal. Në këto momente ka bërë pagesën, ndërkohë që telefonin nuk e hiqte nga veshi dhe pyeste nëse do ta mbyllnin atë punë sa të mbërrinte aty (që nuk mbërriti kurrë, pasi u qëllua sapo hipi në makinën e tij). Madje, edhe ujin e porositur në lokal e kishte marrë me vete. Konomi u vra më 8 korrik, në mes të Tiranës. Babai i dy fëmijëve, një prej eksponentëve të cilësuar nga policia si më i rrezikshmi i botës së krimit në vend, sapo ishte ngjitur në makinën e tij luksoze, tip “Benz”, me targë TR0626S, me ngjyrë të zezë, që e kishte parkuar në sheshin “Avni Rustemi”, rrugës që të shpie për te Pazari i Ri. Dy persona, të cilët udhëtonin me një motor me targa të huaja, i janë afruar me ngadalë dhe pa i thënë asnjë fjalë kanë qëlluar dhjetë herë në drejtim të tij. Gjashtë plumba e kanë zënë në trup Konomin, duke i shkaktuar vdekjen pak minuta më pas. Dëshmitarët i thanë policisë se autorët e krimit janë larguar me shpejtësi të madhe, pa lënë asgjë gjurmë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›