Vetëm një sportel për shpërndarjen e pasaportave biometrike
Ndryshe nga operatorët e aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, zyra e shpërndarjes së pasaportave është duke u përballur me një fluks shqetësues të interesuarish. E ndërsa për aplikimin e këtyre dokumenteve të rëndësishme janë në dispozicion të Fierit dhe të pak rrethinave pesë sportele dhe kaosi në to varet vetëm nga linja e internetit të sistemit të aplikimit, për shpërndarjen e pasaportave funksionon vetëm një sportel. Ai është në shërbim të të gjithë aplikantëve në shkallë rrethi.
Burime nga zyra e shpërndarjes së pasaportave biometrike thanë për gazetën “Shqip” se kanë nisur sërish radhët e gjata për marrjen e dokumentit për udhëtimet jashtë vendit. Ardhja e emigrantëve dhe largimi i maturantëve për studime jashtë vendit ka sjellë fluks të rënduar në sportelin e vetëm të shpërndarjes së pasaportave.
Pikërisht emigrantët dhe studentët kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë situatë të krijuar. Ata e kanë cilësuar kaotike situatën dhe aspak të denjë, ndërsa përflitet për liberalizim vizash dhe hapje kufijsh për vendin tonë.
Radhët e gjata në sportelin e marrjes së pasaportave kanë më shumë se dy javë që janë rikthyer. Shumë nga të interesuarit për pasaporta thonë se kanë ditë që presin me orë të tëra para sportelit dhe jashtë tij nën diellin përvëlues të korrikut.
Situata mund të rëndohet, pasi tani është vetëm fillimi i ardhjes së emigrantëve.
#