Vëzhgimet dhe përgjimet fundosën trafikantët e drogës
Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqet kërkesën për gjykim për 9 të pandehurit e arrestuar pas një operacioni të koduar me emrin “Lindja e diellit”, realizuar në shkurt të vitit 2010, njëkohësisht në katër shtete. Grupi kriminal dyshohet të ketë vepruar që prej vitit 2006 dhe ka transportuar sasi të mëdha marijuane dhe heroine. Operacioni u kodua “Lindja e diellit” për shkak se të gjitha ngarkesat e drogës mbërrinin në Itali në të zbardhur drita e mëngjesit. Operacioni ka rezultuar mjaft i suksesshëm, për shkak se është goditur një prej grupeve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku pjesë e rrjetit ishin shtetas shqiptarë, italianë dhe grekë.
Në kërkesën për gjykim të prokurorisë thuhet se “në përfundim të hetimit paraprak të procedimit penal nr.74/2009 të regjistruar në ngarkim të të pandehurve Fatbardh Kapllanaj, Marenglen Halka, Pilo Zanaj, Artur Demaj, Stefan Zoto, Sandër Likaj, Daniel Likaj, Bledar Xhufi dhe Arben Paluka kanë rezultuar të provuara akuzat”. Po në kërkesën për gjykim thuhet se më datë 20 janar 2006 janë sekuestruar 351 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila është zbarkuar në Torre Veneri nga i pandehuri Fatbardh Kapllanaj, alias Ilia Tare, ku pritës ka qenë i pandehuri Arben Paluka. Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit Isuf Brahimi, Arsen Marku dhe Ilir Mersinaj. Lënda narkotike është sekuestruar në automjetin e tipit “Lancia Dreda”, me targë BAB86749, që drejtohej nga shtetasi Arsen Marku dhe në të cilin ndodheshin shtetasit Isuf Brahimi dhe Ilir Mersinaj. Oficerët e Guardia di Financia që kanë kryer vëzhgimet në lidhje me këtë ngjarje, kanë konstatuar se në vendngjarje ndodhej edhe një makinë e tipit “Wolksvagen Passat”, me targë BL792MA, në të cilën ndodheshin shtetasit Gianfranco Grimaldi, Adrian Aga dhe Fatbardh Kapllanaj, por këta të fundit ishin larguar me makinë nga vendi ku ndodheshin. Nga aktet rezulton se i pandehuri Fatbardh Kapllanaj në këtë kohë ndodhej në Itali dhe ky fakt vërtetohet nga regjistrimi në hotelin “BB Castello”, me emrin e rremë Ilia Tare. Prokuroria thotë gjithashtu se më 12 shtator 2006 është sekuestruar sasia 278,500 lëndë narkotike e llojit kanabis sativa në vendin e quajtur Torre S. Gennaro në Brindizi. “Nga aktet rezulton se në mëngjesin e datës 12 shtator 2006, në Torre S.
Gennaro, Rojet e Financës së Otrantos kanë zbuluar substancën narkotike të llojit marijuanë e fshehur midis shkurreve, shumë pak metra larg nga deti, në sasinë 278,500 kg. Bazuar në përmbajtjen e bisedave të përgjuara mbi numrat celularë që janë përdorur nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj në Itali, si të dyshuar në këtë aktivitet kriminal, ndër të tjerë edhe të numrave 0682745895 dhe 338/6373033, janë vërtetuar lidhjet e të pandehurit Fatbardh Kapllanaj me persona të tjerë në Itali, kryesisht në Sicili, ndër të cilët edhe me Elidon Mingaj, që është identifikuar nga verifikimet e shtetasit Flamur Malaj”, thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Po sipas saj, më 13 shtator 2006, në Massafra, gjatë një kontrolli në banesën e shtetasit italian, Giuliano Pascadopoli, janë gjetur 13,127 gramë substancë narkotike të llojit marijuanë, ku janë identifikuar edhe shtetasit Pilo Zanaj dhe Erlis Jesku. “Në orën 23:30 të datës 16 shtator 2006, shtetasit Pilo Zanaj dhe Ersil Jesku të ngarkuar nga Elidon Mingaj, me furgonin tip ‘Fiat Scudo’, me targë BW311ZY dhe automjetin tip ‘Peugeot 307’, me targë BS701YA kanë udhëtuar nga Sicilia për në Torre S.Gennaro për të marrë lëndën narkotike që ishte zbarkuar më parë. Në njërin nga automjetet ka qenë shtetasi Pilo Zanaj, që pasi ka mbërritur në Massafra, ka ndihmuar të pandehurit Daniel Likaj e Sandri Likaj që të shkonin në vendin ku ishte fshehur lënda narkotike. Të pandehurit Daniel Likaj dhe Sandi Likaj ishin korrierët që kishin realizuar transportin me gomone të lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, ku edhe do të dorëzonin lëndën narkotike te personat që ishin dërguar nga Elidon Mingaj. Shtetasi Pilo Zanaj nën interesimin e vazhdueshëm të të pandehurit Fatbardh Kapllanaj ka bërë përpjekjet për gjetjen e lëndës narkotike të fshehur dhe tërheqjen e saj nga bregu bashkë me personat e tjerë, por pasi kanë kontrolluar me vëmendje të gjithë zonën, janë larguar pa mundur ta lëvizin lëndën narkotike që ishte sekuestruar në datën 12 shtator 2006 nga Guardia di Finanza”, shkruhet në kërkesën për gjykim.
Të dhënat e prokurorisë tregojnë se më 17 shtator 2006, në orën 00:40, dy autoveturat kanë udhëtuar në drejtim të Tarantos dhe oficerët që kanë kryer vëzhgimet kanë konstatuar se shtetasi Pilo Zanaj ndodhej në makinën tip “Peugeot 307”, me targë BS701YA.
Nga provat e grumbulluara rezulton se i pandehuri Fatbardh Kapllanaj ka bashkëpunuar me të pandehurit Marenglen Halka, Sandër Likaj, Daniel Likaj, Pilo Zanaj dhe persona të tjerë me qëllim trafikimin e lëndës narkotike në sasinë 278,500 kg nga Shqipëria, me destinacion Italinë. Nga provat rezulton se në kryerjen e trafikimit të kësaj sasie lënde narkotike të pandehurit Fatbardh Kapllanaj dhe Marengeln Halka kanë organizuar dërgimin e saj nga Shqipëria për në Itali dhe që vazhdimisht janë interesuar për fatin e saj.
Në vijim të veprimeve hetimore që ka kryer Guardia di Finanza në kuadër të zbulimit të këtij aktiviteti kriminal më 2 tetor 2006, është sekuestruar sasia 217 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, në vendin e quajtur S.Cataldo, Leçe.
Nga përgjimet telefonike, këqyrjet dhe provat e sekuestruara, provohet se i pandehuri Fatbardh Kapllanaj, në bashkëpunim me të pandehurit Marenglen Halka, Sandër Likaj, Daniel Likaj dhe Pilo Zanaj, kanë komunikuar ndërmjet tyre për mosgjetjen e lëndës narkotike të fshehur më parë në zonën e mbuluar me shkurre jo larg bregut të detit. Në rastin e trafikimit të lëndës narkotike që lidhet me këtë episod, të pandehurit Fatbardh Kapllanaj dhe Marenglen Halka kanë organizuar dërgimin e lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, duke komunikuar për këtë qëllim me të pandehurin Pilo Zanaj, që ndodhej në Itali. Ky i fundit (Pilo Zanaj) bashkërendon veprimet me të pandehurit Sandër Likaj dhe Daniel Likaj për gjetjen dhe transportimin e lëndës narkotike në vendin e destinacionit, Sicili (te shtetasi Elidon Mingaj). Madje, i pandehuri Fatbardh Kapllanaj i ka organizuar këta persona me qëllim gjetjen e lëndës narkotike në vendin ku ka qenë e fshehur.
#