E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banorët e Kashishit, rrezikohen nga Vjosa

31/01/2005  

Fier/ Fryrja e lumit nga gërryerja dhe shirat, rrezikojnë katastrofën

FIER - Banorët e fshatit Kashisht, në rrethin e Fierit, jetojnë të terrorizuar nga frika e përmbytjes së shtëpive të tyre. Lumi Vjosa, i cili kalon mespërmes këtij fshati, tashmë përbën një rrezik evident për jetën e banorëve. Fryrja e shtratit dhe dalja e saj jashtë kufijve normalë për shkak të gërryerjes së materialeve inerte, si zhavorri buzë lumit, gërryerje që është bërë më së shumti gjatë viteve të fundit, ka bërë që fryrja e lumit Vjosa, të kthehet në panikun e vetëm të banorëve. Dimri i ashpër i këtij viti, vështirëson edhe më tepër jetesën dhe panikun e tyre, pasi fryrjet e lumit për shkak të rreshjeve të shumta, janë edhe një tjetër arsye përmbytjeje. Të rrezikuara nuk janë vetëm banesat, por sidomos fëmijët që luajnë të shkujdesur, fare pranë lumit. ”Shqetësimi ynë sivjet nuk është vetëm zgjerimi i shtrati të lumit dhe afrimi i Vjosës pranë shtëpive tona - thotë njëri prej banorëve të këtij fshati, Vangjel Çobo,- por edhe se sivjet kanë rënë shumë reshje bore, të cilat mund të fryjnë në çdo çast shtratin e lumit, edhe atëherë kur ne nuk e presim”. Ashtu siç thonë vetë banorët, Banka Botërore, ka akorduar një fond prej 11.3 milion lekësh për vendosjen e 11 digave, që do të bëjnë të mundur ndalimin e gërryerjes së sipërfaqes së tokës, pranë këtij lumi. Tenderi për kryerjen e këtyre punimeve, është fituar nga shoqëria private me president Agim Bare, e cila qysh prej 10 ditësh, ka filluar përgatitjen e blloqeve të betonit. E megjithatë, banorët nuk janë të kënaqur nga ky investim pasi, vendosja e pritave, do të pengonte disi zgjerimin e lumit nga gërryerja, por jo daljen nga shtrati i tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›