E Diel, 1 Nëntor 2026

“Greqia, vendi më i mundshëm për vlerësimin që meritoj”

31/01/2005  

Peshëngritësi kampion Evrope, paralajmëron largimin nga Shqipëria

ELBASAN – Taulant Çerepi, një tjetër peshëngritës me rezultate premtuese, paralajmëron largimin e tij nga Shqipëria. Sikurse sportistët e tij patriotë, edhe ai vështrimin e ka hedhur nga Greqia, sepse mendon se ndjehet jo vetëm i vlerësuar, por do të jetë edhe pranë familjes.

Në një intervistë për gazetën “Metropol”, peshëngritësi kampion i Evropës, lindur dhe banues në Elbasan, duket paska i ndrojtur, kur tregon për zanafillën e këtij sporti, por edhe për projektet e ardhshme. Së bashku me vëllezërit Trasha, Taulanti ka patur privilegjin të nisë herët peshëngritjen, por më pas të qëndrojë me këmbë të hekurta edhe në podiume. Që nga viti 1998, ai është shpallur për çdo vit kampion kombëtar dhe sfidat janë ato ndërkombëtare, pasi kampionati ynë nuk i bën shumë përshtypje.

Si e ka filluar kampioni i Europës sportin e peshëngritjes?

Mbaj mend se ishte viti 1997, dhe unë isha jo më shumë se 8 vjeç. Familja me dëshirën time, donte që unë të angazhohesha në një sport. Meqë babai njihte trajnerin e peshëngritjes, Ilir Çela, atëherë m’u ofrua sporti i peshëngritjes. Me kalimin e kohës, peshëngritja dalëngadalë m’u kthye në një aktivitet që po më merrte një pjesë të mirë të kohës së lirë, derisa kuptova se nuk mund të qëndroja më pa palestrën.

Çfarë ka shënuar për ju gara e parë, kur ishit vetëm 9 vjeç?

Gara e parë mbahet mend si dita e parë e shkollës, dhe unë nuk do ta harroj atë ditë. Zhvillohej kampionati kombëtar në Durrës, dhe unë merrja pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë. Në atë garë u shpalla kampion kombëtar, duke thyer edhe rekord, gjë që për mua ishte po aq e bukur sa edhe e papritur.

Kampionati i fundit me paratërinjtë në Norvegji, a ju dhuroi atë që kishit pritur?

Norvegjia ka qënë një gëzim i dyfishtë për mua dhe për trajnerin pasi, katër medalie ari dhe rekordi Europian, nuk ishin pak, kur në garë merrnin pjesë më shumë se 140 sportistë nga e gjithë Europa. Kjo ishte gara e fundit me paratërinjtë, dhe duhet të dilja triumfator, ndërsa krenaria kombëtare në të tilla aktivitete është një motiv më vete, që të shtyn të japësh maksimumin. Ishte gara e fundit për paratërinjtë, dhe nuk kishte se si të përfundonte më mirë për mua.

A është vlerësuar Elbasani dhe ju si peshëngritës për kontributin që kanë dhënë në këtë sport?

Të them të drejtën, këtu e 8 vjet më parë, ne kemi po të njëjtën palestër dhe po të njëjtat kushte, dhe më duket se pak kemi fituar nga ajo që i kemi dhënë peshëngritjes. Kemi pritur nga Federata e Peshëngritjes të paktën kushtet minimale në palestrën tonë, dhe kjo nuk ka ardhur, kur rezultatet tona duhet të diktojnë një mbështetje edhe nga pushteti vendor apo kushdo që përgjigjet për sportin e peshëngritjes. Veç fjalëve të bukura apo pritjes nga Ministria e Kulturës, nuk kemi fituar asgjë më tepër. Peshëngritësit kanë nevojë për një trajtim të veçantë dhe kjo nuk ka ndodhur, atëherë çfarë mund të mendojmë ne për vlerësim.

Largimi nga Shqipëria bën pjesë në planet tuaja për të ardhmen?

Është një pyetje që shpesh më ka shqetësuar, por realisht, deri pak kohë më parë nuk kam insistuar apo kërkuar mundësi për tu larguar nga Elbasani, jo më nga Shqipëria. Megjithatë, gjërat ndryshojnë me shpejtësi dhe tashti, pse jo, do të zgjidhja largimin, pasi duke u takuar me peshëngritës dhe trajnerë të huaj, kam mësuar se në vendet e tjera ka tjetër vlerësim për sportin dhe sidomos sportistin. Me rezultatet do të kisha mundur të fitoja shumë më tepër dhe do të kisha patur më tepër shanse... Greqia duket si vendi më i afërt dhe me një vlerësim për sportin e peshëngritjes. Kemi patur oferta të tjera, por Greqia të jep shansin të jesh i vlerësuar dhe sidomos afër familjes. Kam kërkuar nga ambasada greke nështetësinë, që do të më jepte mundësinë për tu larguar por, për momentin, nuk mund të them se do të largohem pasi, për këtë duhet të vendos ku do të bëj pjesë në peshëngritje.

17 vjeç

Mosha e Taulant Çerepit

77 kg

pesha e sportistit

298 kg

rekordi në dy garësh

Peshëngritësi nga Elbasani, zbulon dashurinë për sporte të tjera

Luan Shabani, modeli im i preferuar

Megjithëse Çerepi preferon të ndjekë gjurmët e tij, ai nuk e mohon të ketë një model që e admiron. Ai është peshëngritësi shqiptar i cili garon për ngjyrat greke, Luan Shabani.Realisht mendoj se duhet vetëm të ndjek gjurmët e vetes sime për të arritur gjithmonë e më tepër rezultate më të mira dhe të ngjitem shpesh nëpër podiume. Nuk kam idhull, por admiroj mjaft peshëngritës ndër të cilët, Luan Shabanin, të cilin e njoh nga afër. Jam mjaft i tërhequr nga ai si njeri, e kam ndjekur karrierën e tij dhe e vlerësoj mjaft. Edhe pse në lojrat olimpike është përfolur për doping, një njeri që do t’a njihte peshëngritjen, do të kuptonte këtë lloj situate për Luanin dhe gjithashtu, do të besonte atë që kanë thënë mjekët, për mosndikimin e asaj substance në garë”.

Peshëngritësi, Taulant Çerepi, zbulon edhe sporte të tjerë të preferuar prej tij, midis të cilëve, janë noti dhe tenisi, sporte ku nuk mungojnë edhe sportistët e preferuar prej tij.

“Kam edhe sportistë të tjerë të preferuar në not dhe në tenis, të cilët janë edhe dy sportet e mia të preferuara, por peshëngritja zë vëndin e nderit dhe gjithashtu pjesën më të mirë të ditës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›