E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen nga bora, bujtës në lokale e hotele

31/01/2005  

Prej më se 24 orë, dhjetëra makina të bllokuara në Qafën e Llogarasë

VLORË – Lokalet dhe hotelet e Llogarasë, kanë mysafirët më të shumtë në këto ditë të dimrit, jo aq për shkak të vizitave turistike, se sa për bllokimin e tyre. Në mungesë të zgjidhjeve të tjera, janë detyruar të shndërrohen në bujtësa, deri në zhbllokimin e rrugës.

Arjan Hanaj, është njëri prej shoferëve, i cili prej orësh ka mbetur i bllokuar në Qafën e Llogarasë. Më shumë se bllokimi dhe pritja në borë, atë e shqetëson harxhimi i rezervave të të hollave.

“Jam nga Tirana dhe erdha për turizëm në këtë pikë, dhe tashmë prej 24 orësh jam këtu i bllokuar nga dëbora. Siç e shikoni, bora ka ngrirë dhe rrugët janë të pakalueshme. Por më e keqja është se, na kanë mbaruar edhe të hollat, sepse nuk e mendonim se do të qëndronim kaq ditë këtu në Llogara”, shprehet ai.

Një prej pronarëve të lokaleve në Llogara, Valdir Troqa, shprehet i kënaqur me gjendjen e krijuar, sepse i është rritur xhiroja.

“E duam këtë stinë, sepse mjaft qytetarë të apasionuar me borën, vijnë këtu. Shteti duhet të sjellë drita 24 orë e të pastrojë e mirëmbajë rrugën nacionale”, bën apel Troqa.

Të bllokuar me qytetarë të ndryshën në Llogara, janë edhe personelet e lokaleve e hoteleve, të cilët në pamundësi për të shkuar në shtëpi, prej ditësh qëndrojnë e flejnë në lokalet e hotelet ku janë të punësuar.

Sipas burimeve të policisë rrugore të Vlorës, mësohet se Qafa e Llogarasë është e bllokuar dhe e pakalueshme, si pasojë e borës së madhe që ka rënë dhe vazhon të bjerë në këtë segment rrugor. Të njëjtat burime, saktësojnë se një gjendje e tillë është prezente të paktën prej më se 24 orë. Gjatë kësaj periudhe kohe, asnjë mjet nuk ka mundur të kalojë në pikën e lartë të Llogarasë.

Burime të tjera nga prefektuar e Vlorës, bëjnë të ditur se janë të paktën 14 autovetura si dhe 3 maune të mëdha, të cilat janë të detyruara të qëndrojnë në Llogara, sepse bora në këtë segment ka arritur në 1 m, duke paralizuar gjithë lëvizjen e jetën në këtë lokalitet.

Për sa i përket masave të marra për normalizimin e situatës, nga ana e prefektit të Vlorës, Artan Nelaj, mësohet se janë marrë masa që rruga të hapet brenda një kohe sa më të shkurtër. Deri në zhbllokimin e situatës, prefekti nuk përjashton edhe mundësinë e dërgimit të ndihmave ushqimore në këtë segment të rrugës nacionale.

Prej më se një jave, në këtë segment rrugor, qëndrojnë në punë mjetet e ndërmarrjes Rruga Ura, si dhe policia e rendit.

Sipas drejtorit të policisë së Qarkut të Vlorës, Josif Shtëmbari, mësohet se forcat e rendit janë aty për të ndihmuar banorët e qytetarët e ndryshëm në përballimin e situatës. Sipas tij, policia do të qëndrojë derisa gjendja të përmirësohet.

Bora e cila ka vazhduar të bjerë edhe gjatë ditës së djeshme, ka bërë që specialistët metereologë, të mos shprehen optimistë për situatën në ditët e ardhshme. Sipas metereologëve të Vlorës, mësohet se bora do të vazhdojë të bjerë për gjatë gjithë javës, duke krijuar anomali në qarkullimin e mjeteve drejt Himarës, Dhërmiut, e të gjithë fshatrave të zonës së Jugut, të cilat tashmë janë të bllokuara nga bora.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›