E Diel, 1 Nëntor 2026

FAMILJA, BASHKESI FORMUESE DHE EDUKUESE

31/01/2005  

Ndryshimet demokratike në Shqipëri, sollën edhe ndryshime social ekonomike që u reflektuan dukshëm në strukturën e familjes si një fenomen shoqëror. Lëvizja kaotike e njerëzve drejt qendrave urbane apo zonave të banuara bëri që të prishen shumë ekuilibre të mëparshme që ishin shtratifikuar sipas sistemit të centralizuar. Prurjet e rrëmbyeshme të familjeve nga zonat e thella malore, veri-jug, u ngjajnë atyre vërshimeve të lumenjve që kërkojnë shtrat dhe tentojnë të gjejnë rrugë për të rrjedhur në det. Kjo bëri që të mpleksen kulturat, zakonet, traditat, mentalitetet dhe nivelet e ndryshme që ballafaqohen në një mjedis social të ri që medoemos do ketë përplasje që do japin efektet e tyre negative dhe pozitive në tregun social. Kjo periudhë sa delikate aq edhe shpërthyese, tjetërsuese dhe emancipuese në strukturën e familjes ka një kosto legale që e mbart me vete. Familja gradualisht po komercializohet, po fabrikohet, zyrtarizohet, gjë që humbet përmbajtjen dhe rolin shoqëror. Mjerisht shohim se në shumë familje ka zbritur një zymti, heshtje, apati, indiferentizëm, mungesë përgjegjësie për edukimin e fëmijëve. Kjo situatë përligjet me kushtet e ekonomisë së tregut dhe inisiativën e lirë. Pasojat janë të dukshme në fushën e korrupsionit, prostitucionit, divorceve, lindjet ilegale, braktisjet e familjeve, lypësisë së fëmijëve nëpër rrugë, braktisja e shkollave, rilindja e analfabetizmit, hakmarrja, ngujimi, e fenomene të tjera që e kanë tronditur familjen shqiptare.

Këto plagë të shoqërisë së sotme moderne kushtëzohen nga faktorë ekonomikë, socialë por edhe tradicionalë që i trshëgojmë nga e kaluara.

Ndryshe nga më pare, tashmë familja nuk është një vend prodhimi apo argëtimi, sepse ekonomia karakterizohet nga specializimi dhe individualizimi i punës që reflekton shkallën e lartë të industralizimit. Njësia familjare e sotme synon që në këtë difuzion të arrijë të sigurojë të ardhurat e nevojshme për mbajtjen e fëmijëve duke siguruar një punë profesionale jashtështëpiake. Banesa dhe vendi i punës sot janë larg njëri tjetrit. Ndodh shpesh që nëna dhe fëmijët nuk dinë vendin e punës së babait. Kualifikimi dhe specializimi i mirë professional, synon të zëvendësoj pronën preindustriale. Ky evolucion në vetvete nuk kundërshton thelbin e familjes, pasi kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një njësi prodhuese autarkike në fushën e ekonomisë. Meqenëse burri në shumicën e rasteve e zhvillon aktivitetin e tij larg shtëpisë, ekonomia familjare dhe mirërritja dhe edukimi i fëmijëve ka mbetur në duart e gruas. Kjo tendencë po na bie një matriakat të ri në qytetet e mëdha”. Veçanërisht angazhimi i burrave në biznes i ka larguar ata nga kujdesi moral e shoqëror për familjen. Ata rrallë ulen në tryezën e përbashkët familjare, pak bisedojnë, konsultohen, komunikojnë me fëmijët. Ky qëndrim bën që shumë biznesmenë, politikanë apo intelektualë të mos e kenë nën kontroll jetën e fëmijëve, jo në aspektin e tutelës, por në frymën e kujdesit dhe përgjegjësisë që ka prindi për fëmijën në një shoqëri të emancipuar.

Në shoqërinë moderne tryeza nuk është vetëm vendi ku ushqehesh, por edhe vendi ku bashkëbisedohet, këshillohet, argëtohet familja. Ne trashëgojmë traditën ku familja mblidhesh rreth oxhakut dhe i pari i shtëpisë ishte protagonisti që jepte e merrte mesazhe për vlerat shpirtërore, morale e fetare. Familja si një bashkësi formuese dhe edukuese e personalitetit të njeriut ka funksione të veçanta të prindërve, vëllezërve, motrave dhe gjyshërve. Sipas Tomas Akuinit tri gjëra ua detyrojmë prindërve: ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur dhe na kanë edukuar. Edukimi i fëmijëve arrihet në përsosmëri kur ka të sinkronizuar kontributet e përbashkëta të babait dhe nënës. Në shoqërinë e sotme moderne rezulton se babai është i kërcënuar nga rreziku i tjetërsimit të misionit të tij atëror. Ky mënjanim lidhet me natyrën shoqërore të punës ku pjesën më të madhe të kohës e kalon jashtë familjes, por edhe për një neglizhencë të pa motivuar të disa baballarëve.

Një problem kritik i shoqërisë së sotme është se mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë industriale, qoftë ai professional aq më tepër shkollor si dhe ai i kohës së lirë është nën veprimin e një ideologjie dhe morali të çoroditur, të shpërbërë dhe të pakontrolluar. Mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë pluraliste i mpleks fëmijët me fenomene të shthurjes së vlerave e parimeve morale. Aty janë prezent viruset e korrupsionit, drogës, prostitucionit që qarkullojnë lirshëm në mjedise të pa mbrojtura dhe karantinuara. Edukimi më mirë ekziston në një familje të qetë e harmonike, ku ka marrëveshje, respekt reciprok, dashuri njerëzore, bashkëjetese besnike, gëzime dhe hidhërime të përbashkëta, sakrifica të ndërsjellta. Familje e shëndoshë është atëhere kur tryeza e bukës është edhe tryezë shpirtërore. Në rast se shohim marrëdhëniet në familje në tërësi në kohën e sotme kanë pësuar tronditje që nga themeli deri në çati. Jo vetëm marrëdhëniet burra – grua, por edhe motër – vëlla, motër – motër apo vëlla – vëlla, shokë-shoqe e kanë rënduar atmosferën shoqërore. Për fat të keq prona dhe biznesi kanë varfëruar dashurinë e fëmijëve të gjakut të përbashkët. Jo rrallë kemi përjetuar drama që grindjet për çështje pronësie kanë marrë jetë njerëzish midis vëllezërve, prind fëmijë, brenda fisit dhe komunitetit të fshatit.

Kriza morale dhe rrënimi i familjeve ka bërë që shumë media të shkruara dhe elektronike të luajnë me dinjitetin e femrave dhe të fëmijëve. Liria e shtypit nuk presupozon

Të cënosh dinjitetin e personit .

Lakimi i përditshëm i dy grave të zhdukura e shoqëruar me lloj lloj epitetesh deri në karikatura te revista Klan, është një autorësi e një morali të pamoralshëm të disa gazetarëve që duan të mbushin kronikat e tyre.

A e kanë parasysh drejtuesit e mediave se ato familje kanë fëmijë që ndihen të fyer në mjediset e tyre shoqërore. Problemet e marëdhënieve dashurore janë probleme personale. Ndërsa krimet për motive xhelozie e gjejnë autorësinë në organet e drejtësisë.

Tregu mediatik i zhgarravitjes së familjeve, mund të bëhet shkak i konflikteve midis fëmijëve dhe grafomanëve të shfrenuar.

Jeta pasurohet nga bshkëjetesa në harmoni e tre brezave: fëmijë, prindër, gjyshër. Kontradikta të shpeshta hasim edhe midis nipërve e mbesave me gjyshërit, apo nuseve me vjerrat. Palët ankohen për pabarazinë e sjelljeve, kulturave, qytetërimeve, zakoneve, idealeve që lëvizin në kohë të ndryshme. Emigrimi i fëmijëve në vende të ndryshme të botës e ka varfëruar së tepërmi jetën familjare. Familja fshatare ende mbahet duke u përpëlitur si rrënja e çdo forme të jetës shoqërore. Ende respektohen relacionet e gjakut duke vlerësuar progresivisht, vëllazërin, fisin, vendlindjen, krahinën për të arritur te populli dhe atdheu yt. Kjo ndodh se në fshat familjet janë të vendosura në të njëjtin vend mbi bazë vllazërie dhe fisi që rrisin marrdhëniet dhe shtojnë solidaritetin. Ndërsa në qytet familjet s’kanë të njëjtin vendbanim, shkëputet komunikimi dhe krijohen distanca marrëdhëniesh që i largojnë nga njëri tjetri.

Eshtë e vështirë, por duhet të luftohet që rritja progressive e fëmijëve nuk duhet të çojë në një shkëputje shpirtërore, në një largim shpërfillës nga njëri tjetri, por duhet të orientohen në veprimtarinë e tyre jashtë interesave denigruese dhe xhelozive patriakale.

Familja duhet vlerësuar si qeliza e shoqërisë në profilin biologjik, moral dhe social. Shthurja e martesës apo familjes, siç janë disa rryma dhe tendenca të vendeve të zhvilluara industriale çojnë në mënyrë të pashmangshme herët a vonë në zhdukjen e këtyre popujve. Në familje njeriu mëson ato virtyte shoqërore pa të cilat njeriu nuk mund të zhvillohet e ekzistojë siç janë: dashuria njerëzore, dashuria familjare, respekti, solidariteti, toleranca, falja dhe ushtrimi i atributeve sipas sekseve, përgjegjësive dhe moshës. Gëzimi i pjekurisë së fëmijëve shoqërohet edhe me vetëdijen e hidhur të shkëputjes së tyre nga trungu familjar. E para familja si një fidanishte e shoqërisë, nuk duhet që prindërit të kërkojnë t’i mbajnë fëmijët të lidhur pas vetes, saqë i ndrydhin ose pengojnë proçesin e emancipimit e përparimit të tyre. Kjo ndodh shpesh te ato familje që kanë fëmijë të vetëm, ose ku mungon babai, të nënave beqare, të divorcuara dhe vejusha. Këto lidhje të tepruara kanë bërë që fëmijët të kenë të ardhme të pafavorshme për krijimin e familjes së tyre. Nga testimet e bëra rezulton se ka edhe arsye ekonomike që pengojnë fëmijët të shkollohen apo të marrin një profesion,apo frenime patriarkale siç ndodh me mentalitetin e zonave malore që nuk i lënë vajzat të vazhdojnë shkollën se mos marrin rrugë të keqe morale. Në disa raste në zonat e thella rurale ende edhe sot janë prindërit ata që vendosin për zgjedhjen e bshkëshortit. Edhe në rast se nuk ushtrohet dhunë fizike, që duket, ushtrohet dhunë shpirtërore që jua prangos ndjenjat të rinjve. Një fjalë e urtë arabe thotë: “ti je vetëm harku, nga i cili bijtë e tu nisen si shigjeta të gjalla”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›