E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita e shtatë, Kukësi i izoluar nga bora

31/01/2005  

Ndihmat e nisura, ende nuk kanë mbërritur në zonat e bllokuara

Sipas burimeve të Shtabit të Emergjencës, mësohet se dy raste të sëmurësh janë paraqitur dje, një në Bushtricë, ku një grua është transportuar me helikopter drejt Tiranës, dhe një në Shishtavec, ku e sëmura është dërguar në spitalet e Kosovës

KUKËS - Situata mbetet e vështirë edhe pas një jave. Të gjitha rrugët rurale që lidhin komunat me qytetin e Kukësit, vazhdojnë prej një jave të jenë të bllokuara, duke izoluar mbi 50-mijë banorë të komunave Shishtavec, Topojan, Grykë e Çajës, Bushtricë, Ujmisht, Arrën, etj. Trashëshia e dëborës në këto komuna arrin mbi 1.5 metër. Megjithë angazhimin e shtabit të emergjencës ngritur pranë prefekturës së Kukësit, i cili është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e pushtetit vendor në qytetin verilindor si dhe me qendrën operacionale pranë Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, pas shtatë ditë përpjekjesh për zhbllokimin e rrugëve, nuk është bërë i mundur zhbllokimi i tyre.

Ndërkaq, sipas burimeve të shtabit të emergjencës, mësohet se dy raste të sëmurësh janë paraqitur dje, një në Bushtricë, ku një grua është transportuar me helikopter drejt Tiranës, dhe një në Shishtavec, ku e sëmura është dërguar në spitalet e Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme situata është vështirësuar mjaft nga zbritja e temperaturave që në Kukës, shënuan gjatë natës -10 gradë celcius, duke krijuar shtresa të mëdha akulli.

Burimet e shtabit të emergjencës bënë të ditur se, “Viktima në njerëz nuk ka patur, ndërsa janë shembur katër shtëpi në fshatin Breki, katër në Ujmisht, dy shkolla në rrethin e Hasit, një në Tropojë, si dhe tre shtëpi në komunën e Bicajve, pa shkaktuar viktima”.

Burimet sqarojnë se, për situatën e krijuar, nuk ka mjete të mjaftueshme, borëpastruese për hapjen e rrugëve rurale. Ndërsa për akset nacionale, problem mbetet qarkullimi me shumë vështirësi në segmentin Kukës - Fushë Arrëz, për shkak të akullit dhe dëborës, në Qafë Mali, që i kalon 2 metër trashësi.

Në ndihmë të familjeve më në nevojë, janë nisur dje në drejtim të Kukësit, pako ushqimore të cilat sipas burimeve të policisë që i shoqëron ato, mësohet se janë në rrugë e sipër nga Fushë Arrëzi, dhe pritet që sot të mbërrijnë në Kukës. Ato do të shpërndahen në komunat e izoluara me ndihmën e ushtrisë, e cila ka vënë në gadishmëri të gjitha mjetet që disponon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›