E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nora Malaj: Studentët kanë rolin kryesor në autonominë e universiteteve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi Konferencën përmbyllëse të një raundi konferencash të zhvilluara në të gjitha universitete në vend mbi Proçesin e Bolonjës. Ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj diskutuan sot në Durrës në ambientet e Universitetit Aleksandër Moisiu

mbi implementimin e Kartës së Bolonjës në të gjitha universitetet tona. Në përshëndetjen e saj Zv/ Ministre e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, vlerësoi zhvillimet e fundit për implementimin e Kartës së Bolonjës si dhe seriozitetin dhe profesionalizimin e konferencave të organizuara nga Universitetet shqiptare në nivel lokal dhe qendror. Gjatë fjalës së saj Malaj ka theksuar faktin se një rol të rëndësishëm në autonominë e universiteteve kanë edhe vetë studentët. Në të njëjtën linjë ka vijuar puna edhe për zbatimin e politikave që mundësojnë autonominë e Universiteteve. Konferencat e organizuara deri më tani kanë provuar rëndësinë që ka procesi i Bolonjës dhe ciklet e tij studimore në njohjen e tregut të punës e procesin e mësimdhënies; promovimin e rezultateve të pedagogëve dhe kërkimeve shkencore; si dhe rolin e studentëve në autonominë e universiteteve, u shpreh Malaj. Përfaqësuesi i Akademisë gjermane DAAD, Jurgen Rohling nënvizoi bashkëpunimin e universiteteve gjermane dhe shqiptare në reformat që po kryhen në kuadër të procesit të Bolonjës. Tashmë DAAD është pjesë e programeve të lëvizshme në rreth 200 universitete dhe 130 organizma studentore në vende të ndryshme të Evropës, ndërsa mbështetet nga projektet e ndryshme të Bankës Botërore dhe programet Erazmus, Atlantis, etj. Specialistë të Bankës Botërore dhe përfaqësues të institucioneve arsimore në Shqipëri, si dhe rektorë të universiteteve publike e private në vend, diskutuan gjatë mbi të gjitha stadet dhe arritjet e deritanishme të procesit të Bolonjës si dhe mbi programet e studimeve pasuniversitare. Kjo konferencë u zhvillua pas një raundi të gjatë konferencash me të njëjtën temë në universitetet publike dhe private në të gjithë Shqipërinë. Një sërë konferencash janë zhvilluar kohët e fundit në të gjitha universitet e vendit në lidhje me procesin e Bolonjës si një risi në arsimin Shqiptar.

Last Updated on E Hene, 05 Prill 2010 19:12

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›