E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, plumba mbi djalin e zjarrfikësit për ekspertizën

Konflikti lindi pas djegies së lokalit të agresorit. Shpallen në kërkim autorët

Djali i shefit të repartit të zjarrfikësve të Lezhës i ka shpëtuar për mrekulli një atentati që ka ardhur për pasojë të punës së të atit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 15.40 në lokalin e Pashk Currit, në afërsi të ish-ndërmarrjes së grumbullimit në Lezhë. Djali i pronarit të lokalit, që është edhe shefi i zjarrfikësve të qytetit, R. Curri, kishte dalë në derë kur Ardi Frani, 19 vjeç, ka shtënë me gjashtë plumba në drejtim të tij nga dritarja e një veture. Fatmirësisht plumbat kanë kaluar mbi kokën e adoleshentit dhe vetëm kanë dëmtuar xhamat e lokalit, ndërkohë që agresori është larguar menjëherë me makinën tip “Volkswagen Golf”, që drejtohej nga Armand Loci.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se ndërsa R. Curri 18 vjeç, po dilte nga lokali i të atit, në afërsi të tij është ndaluar një “Golf” me targa të huaja, që drejtohej nga Loci. Ndërsa si pasagjer në autoveturë ishte edhe Ardi Zef Frani, që ka zbritur menjëherë nga mjeti dhe në dorë mbante një automatik “Kallashnikov”. Në ato momente ka filluar duke qëlluar mbi 18-vjeçarin R. Curri, i cili ka hyrë menjëherë në lokalin e të atit. Ndërkaq, 19-vjeçari Frani ka qëlluar me breshëri automatike edhe mbi lokal dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Policia e Lezhës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se Ardi Zef Frani ka pasur si qëllim kanosjen e djalit të shefit të zjarrfikëseve të Lezhës, Pashk Curri. Kjo, pasi pak muaj më parë ishte djegur lokali i Franit. Gjatë ekspertizës së objektit, shefi i zjarrfikësve të Lezhës ishte shprehur në procesverbal se lokali ishte djegur nga një shkëndijë elektrike që ka ardhur nga rezistenca. Ndërsa Frani kishte këmbëngulur se kishte qenë energjia elektrike, e cila kishte pasur shumë luhatje, duke shkaktuar edhe djegien e lokalit. Pasi nuk ka mundur që të bindë Pashk Currin që të ndryshonte ekspertizën, e cila dërgonte në përfitimin e dëmshpërblimit, Frani ka vendosur të hakmerrej ndaj tij, duke i kanosur të birin, në një kohë që sipas policisë çështja është edhe në gjykatë. Policia e Lezhës bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja automatike, ndërsa janë ngritur postblloqe në të gjitha akset e hyrje-daljeve nga Lezha. Deri tani nuk është bërë i mundur arrestimi i Ardi Zefit dhe njëkohësisht edhe bashkëpunëtorit të tij Armando Loci, i cili ndihmoi autorin e atentatit të largohej nga vendi i ngjarjes me makinën e tij. Nga ana tjetër, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë këqyrjen e saj, duke sekuestruar edhe gëzhojat e shtëna nga arma automatike. Gjithashtu janë marrë në pyetje gjithë dëshmitarët okularë, të cilët nuk mungonin në atë kohë të ditës. Në pyetje është marrë edhe djali i shefit të zjarrfikësve, i cili ka deklaruar se si kishte ndodhur ngjarja dhe se kishte arritur të njihte autorët. Ndërsa për motivin, babai i të dëmtuarit ka shpjeguar çdo gjë para oficerëve të policisë gjyqësore dhe tashmë pritet vetëm arrestimi i agresorëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›