Gjendet i mbytur në lumë fëmija i zhdukur
Fëmija i humbur dy ditë më parë, është gjetur i mbytur mëngjesin e djeshëm. I mituri Islam Kazanxhiu, vetëm 2 vjeç e gjysmë, banor i lagjes Babrru të kryeqytetit është gjetur i mbytur në Breg të Lumit, pranë përroit të shtëpisë, pas Spitalit Ushtarak. Burimet e policisë së kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 16.00 të dy ditëve më parë, Mirela Kazanxhiu është paraqitur në Komisariatin Nr. 5, duke deklaruar se rreth orës 11.30, te banesa e babait të saj, te Bregu i Lumit në Babrru, i ka humbur djali i mitur. Menjëherë, forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me familjarët filluan kërkimin për gjetjen e fëmijës së humbur. Dje në orët e para të mëngjesit, pas kërkimeve të shumta, fëmija u gjet prapa Spitalit Ushtarak, i mbytur pranë një ure në Bregun e Lumit. Menjëherë u shkua në vendngjarje dhe nga grupi hetimor u konstatua se fëmija i mbytur ishte Islami, 2 vjeç e gjysmë. Trupi i fëmijës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të mbytjes. Fillimisht, kur u bë denoncimi, policia mendoi se fëmija mund të ishte rrëmbyer edhe nga i ati. Dy ditë më parë, policia tha se nëna e të miturit ka deklaruar se fëmija ishte i veshur me bluzë e tuta blu dhe çizme. Ai ka qenë duke luajtur pranë bregut të lumit, kur nuk është parë më. Për këtë ka njoftuar policinë, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij, me frikën se mund të ketë rënë në lumë. Nga ana tjetër, policia ka zbuluar se rreth një javë më parë, Kazanxhiu ka pasur një konflikt me të shoqen. Në këto kushte, vjehrri, babai i nuses, ka marrë me vete në banesën e tij të bijën dhe nipin. Kështu kanë lindur dyshimet se fëmija edhe mund të jetë rrëmbyer nga i ati pas këtij konflikti, por nuk u përjashtuan edhe pista të tjera. Mëngjesin e djeshëm, ai u gjet i mbytur në lumë, ndërsa në mbrëmje u është dorëzuar familjarëve.
#