Thikë në kokë pas sherrit për bixhoz
Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë në Tiranë, pasi është goditur në kokë me thikë, ndërkohë që policia dyshon se ngjarja ka ardhur për borxhe të bixhozit. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Orion Mesiti, i cili mendohet se deri në orët e vona të natës ka qenë duke pirë e duke luajtur bixhoz, e më pas është nisur për në shtëpi, por rrugës kanë tentuar vrasjen e tij. Sipas të dhënave policore të kryeqytetit, ngjarja është regjistruar rreth orës 02.00 të mëngjesit, pranë Shkollës së Kuqe, te rruga “Qemal Stafa”. Sipas të dhënave policore, aty është gjetur rastësisht Orion Mesiti, i cili është njohur nga disa të afërm të tij. Në momentin e gjetjes, ai ka qenë i mbuluar me gjak dhe menjëherë është dërguar për në spital. Sipas të dhënave policore, ai kishte marrë një plagë të rëndë në kokë, që fillimisht u mendua se ishte plumb, por më pas ka rezultuar se është goditur me thikë. Më tej, grupi i punës shpjegoi se gjendja e tij shëndetësore është tejet e rënduar, edhe për shkak të humbjes së madhe të gjakut që ka pësuar. Nga ana tjetër, menjëherë kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje të njohurit e tij. Nga të dhënat ka rezultuar se deri në orët e vona të natës, ai ka qenë duke luajtur bixhoz dhe duke pirë me njerëz të ndryshëm. Aty mendohet të kenë pasur edhe konflikte të vogla për çështje borxhesh, pas humbjes në bixhoz. Pas kësaj, ai është nisur në shtëpi, por mendohet se gjatë rrugës i kanë zënë pritë, duke i mbajtur inat dhe kanë tentuar vrasjen e tij. Kur e kanë shtrirë përdhe, duke menduar se ka vdekur, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.
#