Ende e paqartë arsyeja e vetëhelmimit të çiftit
Mbetet ende mister motivi që ka shtyrë çiftin nga fshati Maliq të pijë bar miu për t’i dhënë fund jetës. Një ditë pas ngjarjes së rëndë të dy të vetëhelmuarit që u gjetën në banesë nga të afërmit kanë dalë nga gjendja kritike. Mjekët thonë se ata e kanë kaluar rrezikun për jetën, por ende nuk janë të aftë të japin sqarime për ngjarjen. A. M. 28 vjeç dhe E. B. 34 vjeçe vazhdojnë të mbahen në reanimacion nën kujdesin e mjekëve, pasi doza e helmit që e kishin tretur në kafe ka qenë e madhe. Policia, nga ana e saj, ka deklaruar se çifti nuk është marrë në pyetje për ngjarjen dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat ata kanë vendosur t’i japin fund jetës. Kjo për faktin se sipas policisë shëndeti i tyre nuk është ende i mirë dhe ata nuk mund të japin të dhëna të sakta. Por nga hetimet e deritanishme është mësuar se mes çiftit kishte pasur së fundi marrëdhënie të tensionuara, për shkak të shfaqjes së fëmijëve të 34-vjeçares, e cila nuk kishte treguar për ta.
#