Çmontonin predha, plagosen dy ushtarakët e poligonit
LIBRAZHD/ ALDO KOZARIA
Shpërthimi i një kapsolle në poligonin e çmontimit të municioneve, në malin e Zgavrës në Librazhd, plagos dy prej punonjësve të tij. Ngjarja u shënua rreth orës 13:50 në këtë zonë, të caktuar prej 2 vitesh për demontim, ndërsa është rrezikuar jeta e 7 personave që ndodheshin në turn. Sipas burimeve nga spitali i Librazhdit, pohohet se të lënduarit janë Liman Boriçi, 51 vjeç dhe Hysni Xhaxhaj, 41 vjeç, të dy me eksperiencë të gjatë në ushtri. Të dy kanë pësuar plagë të lehta dhe pas pak orësh nën terapi janë lënë të lirë. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur mbrëmë, me anë të një deklarate dhe shkakun e plagosjes. Sipas saj, gjatë demontimit të një shtimjeje 85 mm, pasi është djegur baruti, kapsolla nuk është zhvidhosur me çelës për arsye të ndryshkut, si rezultat i qëndrimit të gjatë në depo. Për ta zhvidhosur është ndjekur mënyra mekanike, duke e goditur atë për asgjësim. Si pasojë e këtij veprimi, ciflat e kapsollës kanë goditur në këmbë punëtorët. Alarmi është dhënë menjëherë, nga frika e ndonjë ngjarjeje të ngjashme me shpërthimin e Gërdecit apo Dhëmblanit. Por, fatmirësisht plagët kanë qenë të lehta për dy punonjësit, ndërsa nuk ka pasur dëme të tjera. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Spitalit të Librazhdit dhe referuar mjekut kirurg Avni Marta, i cili i ka mjekuar dy të plagosurit në momentin e mbërritjes, ata janë nënshtruar menjëherë ekzaminimeve, për t'u lejuar më pas të lënë spitalin. Mësohet se në këtë poligon demontoheshin materiale luftarake të kalibrave të ndryshme, të cilat ishin transportuar nga tunelet e ushtrisë në Mirakë drejt malit të Zgavrës, zonë e thellë e Librazhdit. Kjo u përcaktua nga Ministria e Mbrojtjes, pas shpërthimit të ndodhur në Gërdec të Tiranës. Për zbardhjen e ngjarjes është marrë policia e rendit dhe ajo ushtarake, të cilat saktësuan dhe shkakun e lëndimit. Ata e përcaktuan ngjarjen aksidentale, për shkak të veprimeve të kryera nga punonjësit. Specialistët e këtij poligoni u shprehën se nuk kanë ndodhur më parë ngjarje të tilla, pasi stafi është i kualifikuar. Aty asgjësohen predha luftarake, mina, granata, etj. Të tillë poligone janë ndërtuar dhe në zona të Pukës, Gramshit, Skraparit, Voskopojës, Durrësit, Bizës dhe Këlcyrës.