Banorët e Orikumit bllokojnë sërish rrugën Vlorë-Himarë
Për më shumë se 40 minuta banorët e Orikumit dhe ish-punonjës të Ndërmarrjes Bujqësore në Orikum kanë protestuar për tokën që kanë përfituar nga ligji 7501, duke bllokuar dhe aksin rrugor Vlorë-Himarë. Me banderola dhe parulla në duar, ata kanë marshuar fillimisht përgjatë bulevardit të Orikumit dhe më pas kanë ndaluar në hyrje të qytetit, duke bllokuar dhe aksin e rrugës që të çon në Sarandë. Të shoqëruar dhe nga forca policore, banorët kanë thënë për “Shqip” se kjo tokë është e Dukatit dhe e Orikumit ndaj nuk do ta lëshojnë. “Z. Kryeministër, në qoftë se do të largosh mafien eja në Orikum”, ose “Tokën nuk do ta lëshojmë deri në vdekje” ishin disa nga parullat që ata mbanin në dorë. Më pas banorët janë shprehur: “Z. Kryeministër duhet të zbatosh ligjin 7501 që e vendose vetë në vitin 1991, sepse kjo tokë është e Dukatit dhe nuk do të lejojmë askënd me dokumente false që të vijë dhe të na marrë tokën”. Banorët i bënë me dije Kryeministrit që të mos u hidhet në një sulm të tillë, të cilin ata nuk do ta dëshironin. “Ne do ta vazhdojmë protestën tonë deri në fund sa qeveria të na japë pronësinë e tokës, në të kundërt askush nuk do të lejohet të vijë në Orikum”, thonë banorët. Një ish-punonjëse e moshuar u shpreh se “jemi mbledhur për ligjin që qeveria ka dhënë për tokat tona që ne i kemi shpyllëzuar”. Le të vijnë po të duan, shprehet e moshuara, ne nuk do të lejojmë askënd, vetëm po të kalojnë mbi trupat tanë atëherë të bëjnë çfarë të duan. “Unë si më e vjetra këtu kam qenë ajo që e kam shpyllëzuar këtë tokë zbathur dhe pa bukë. Merrnim vetëm katër lekë në ditë atëherë dhe nuk blinim dot një shkrepëse e ne nuk do të lejojmë që të na merret toka. Ka kaluar më shumë se një vit dhe deri tani nuk është bërë asgjë për tokat tona”, thotë një zonjë. Kryetari i Shoqatës së Tokave të Orikumit i bën me dije Kryeministrit që të zbatohet ligji 7501 ose toka tek i zoti, në të kundërt ai thotë se do të vritet për këtë tokë. “Unë si përfaqësues i popullit të Orikumit i bëj thirrje qeverisë ta tërheqë këtë amendament për tokën, sepse këtu do të ketë përleshje dhe ne nuk duam që të vriten njerëz. Një tjetër banor është shprehur se turqit që qëndruan 500 vjet nuk e ndryshuan pronësinë e tokës, po ashtu dhe italianët që pushtuan Shqipërinë nuk e ndryshuan, për 20 vite Sali Berisha e ka ndryshuar shumë herë”, nënvizoi ai. Në mbyllje të protestës banorët janë shpërndarë, duke thënë se sërish do të protestojnë, sepse është një e drejtë që e kanë si dukatas.
#