E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgoni bie në lumë, katër të vdekur

Gramsh Policia mëson një ditë më vonë aksidentin. Terreni vështirëson gjetjen e trupave

Një furgon pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Devoll, ndërkohë që të paktën katër persona mendohen të kenë gjetur vdekjen. Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të shtunës, në kufirin mes Gramshit dhe Moglicës, kur furgoni i pasagjerëve është rrëzuar nga shkëmbi i Dobërçanit në një zonë të thellë malore, duke humbur në thellësitë e lumit Devoll. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjeti ishte nisur nga fshati Bratilë për në Moglicë, kur është rrëzuar nga lartësia e shkëmbit dhe ka përfunduar në ujërat e rrëmbyeshme të lumit. Burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se dyshohet se tre pasagjerë dhe drejtuesi i furgonit me targa KO 1893 B kanë gjetur vdekjen, edhe pse policia ende nuk ka mundur të gjejë trupat e tyre. Dyshohet se viktimat janë: Dritan Balla, 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç, Behar Senkollari, 18 vjeç, dhe Elis Sogani, 32 vjeç. Policisë i janë dashur shumë orë kërkime për të bërë të mundur identifikimin e vendit ku është rrëzuar furgoni dhe personave që udhëtonin në të.
Ndërkaq, burimet zyrtare kanë bërë të ditur se automjeti i linjës Mollëgrabovë-Gramsh për herë të fundit është parë të kalonte në afërsi të një reparti ushtarak mbrëmjen e së shtunës. Në këtë kohë mendohet të jetë rrëzuar nga shkëmbi dhe të ketë përfunduar në lumë.

Sipas policisë, operacionet për gjetjen e trupave të viktimave po zhvillohen në një terren mjaft të vështirë. Mësohet se uniformat blu të Korçës kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të Elbasanit, në pamundësi për të mbërritur në kohë nga zona e Moglicës, për shkak të bllokimit të rrugës nga çarja e saj dhe shembja e urës lidhëse. Ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar edhe palombarë të forcave speciale, për të ndihmuar operacionet e kërkimit. Kërkimet për gjetjen e trupave vështirësohen edhe pas faktit që aksidenti është sinjalizuar një ditë pas ngjarjes, për shkak të se në këtë zonë të thellë malore qarkullimi i mjeteve është mjaft i rrallë. Policia është sinjalizuar për ngjarjen, pasi furgoni me targa të Korçës është parë në lumë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›