E Diel, 1 Nëntor 2026

Donatorët e KE-së, apel qeverisë: “Mos i keqpërdorni fondet dhe ndihmat tona!”

Milionat do të investohen për sektorët më të prapambetur

Ervin KOÇI

Donatorët e Komisionit Europian kanë shprehur qëndrime të qarta në lidhje me investimet që ata do të ofrojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë së Ballkanit, si dhe të vendit tonë në veçanti. Ata kanë premtuar ofrimin e miliona eurove ndihmë për Ballkanin Perëndimor, por janë shprehur hapur që këto fonde të mos keqpërdoren nga qeveritë e vendeve ku do të jepen. Këto deklarata janë bërë dje gjatë konferencës dyditore të donatorëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që po zhvillon punimet në Tiranë. Krerët europianë kanë sqaruar qartë se, “paratë që do të jepen si donacione ose kredi do të shkojnë për zhvillimin e sektorëve më të prapambetur të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Ata kanë theksuar, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në këtë konferencë, se, "çdo euro që do të japin vendet komunitare do të monitorohen pasi ato janë paratë e taksapaguesve tanë". Sipas ambasadorit të KE-së, Helmut Lohan, "duhet një koordinim i ngushtë për të përdorur sa më me efektivitet paratë e taksapaguesve europianë me qëllim që ato të mos përfundojnë në korrupsion”. Këtë e ka mbështetur edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili tha: “Ju ftoj për të financuar edhe projektet kundër korrupsionit, i cili në Shqipëri është serioz dhe i përhapur". Qëllimi i Konferencës është të evidentojë progresin e bërë në përmirësimin e koordinimit të donatorëve, shkëmbimin e përvojave më të mira, adresimin e mangësive që mbeten dhe dhënien e rekomandimeve praktike lidhur me përmirësimin e mëtejshëm dhe sigurimin e një shpërndarjeje efektive të detyrave ndërmjet donatorëve. Ajo do të diskutojë masat konkrete në sektorët e arsimit, mjedisit dhe transportit, të cilat luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik-social dhe në integrimin europian dhe rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Fondi për krizën

Ndërkohë që Shqipëria ka vijuar me deklarata të përsëritura gati çdo ditë prej qeverisë se nuk është në krizë, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit të KE-së, Majkëll Leigh, ka deklaruar dje se është parashikuar një fond i posaçëm ndihme për rajonin. "Kemi të gatshme një paketë antikrizë për këto vende. Janë 150 milionë euro në kuadër të paraaderimit. Por, ekzistojnë edhe 600 milionë euro të premtuara nga institucionet ndërkombëtare nëse vendet e rajonit preken seriozisht nga kriza", - ka theksuar Leigh. Ndihma financiare e donatorëve ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë viteve 2005-2008 ka qenë rreth 20 miliardë euro. Konferenca e fundit e donatorëve u mbajt në tetor 2008 në Bruksel, me iniciativën e Komisionit Europian. Në vijim të rekomandimeve, konferenca në Tiranë është e para që mbahet në një nga vendet përfituese dhe ka mbledhur në një tryezë rreth 200 përfaqësues të institucioneve Financiare, Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, donatorë jashtë vendeve të BE-së dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Konferenca e donatorëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë do të mbyllet sot, ku do të vendoset edhe shuma e ndihmës që Komisioni Europian do të akordojë për rajonin.

Angazhimi i qeverisë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë konferencës vuri theksin në politikat fiskale, të cilat shërbejnë për të përmirësuar efektivitetin e burimeve të orientimit. Sipas tij, politikat fiskale në të gjitha vendet, pavarësisht nga niveli i zhvillimit të tyre, vijojnë të mbeten një nga instrumentet kryesore për nxitjen dhe ruajtjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm si dhe për garantimin e një kohezioni shoqëror afatgjatë. Ministri Bode vuri në dukje se qeveria shqiptare në këtë kuadër ka ndërmarrë një sërë reformash të thella, të cilat kanë pasur si synim krijimin e një sistemi taksimi sa më nxitës dhe favorizues për biznesin duke synuar kthimin e Shqipërisë në një vend atraktiv për të investuar dhe me avantazhe të dukshme fiskale në raport me rajonin dhe më gjerë, duke mundësuar përgjysmimin e barrës tatimore në harkun e tre viteve, theksimin e karakterit neutral të sistemit të taksimit në raport me sektorët e ekonomisë apo me kategori biznesesh për të mundësuar përdorimin efektiv të burimeve financiare e ekonomike të vendit si dhe për të fuqizuar kapacitetin konkurrues të kompanive e mallrave në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, përmes eliminimit të favoreve e përjashtimeve fiskale, zgjerimin në këtë kuadër të bazës tatimore dhe përfshirja nën të njëjtat rregulla e të gjithë agjentëve ekonomikë që veprojnë në treg, etj.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›