E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Orikumit, protestë kundër Topit

Të zhgënjyer nga dekretimi i ligjit të ri për tokat në bregdet. Kërkojnë zbatimin e 7501-shit
Rreth 120 banorë të zonës dhe ish-punëtorë të Ndërmarrjes Bujqësore të  Orikum kanë protestuar përsëri dje përpara bashkisë së qytetit me kërkesën për zbatimin e ligjit 7501 për tokën bujqësore. Banorët, kësaj here kanë protestuar kundër dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës të ligjit të ri për tokat në bregdet. Të revoltuar, ata u kanë bërë të ditur të gjitha strukturave qeveritare se në Orikum nuk do të lejohet askush të ndërtojë dhe kërkojnë nga kryeministri që të zbatohet ligji 7501 dhe ish-punonjësit e NB-ve të marrin tokat që kanë përfituar nga ky ligj pa asnjë lloj cungimi, ose në të kundërt të marrin pronat e tyre që kanë në fshatin Dukat, por që tashmë, sipas ligjit 7501 u janë shpërndarë banorëve të tjerë.
Protesta ka vazhduar për rreth një orë dhe është zhvilluar para ambienteve të bashkisë së Orikumit. Një nga ish-punonjëset e NB-së së Orikumit tha dje se kërkohet mbështetja e kryetarit të bashkisë, Kanan Braho, por ai nuk ka pranuar asnjëherë të dëgjojë hallet e protestuesve. “Ne nuk do të lejojmë askënd të afrohet tek këto toka dhe njeriu që kemi zgjedhur me votat tona duhet të na përkrahë”, tha ajo. Nënkryetari i shoqatës së tokave të Orikumit, Yrjet Havari, tha se “ne prisnim nga presidenti i republikës të mos dekretonte ligjin e ri të tokave.
Kjo do të thotë për ne shumë, pasi populli Shqiptar nuk do të jetë i qete por në një kaos, ose në në luftë civile. Ne si shoqatë i bëjmë me dije presidentit se ligji që ka dekretuar është një ligj që u jep të drejtë mafiozve të tokës . Unë si nënkryetar i shoqatës kisha mendimin ndryshe për Bamir Topin, ai do të kishte gjykuar në këtë moment me pjekuri politike me gjithë forcën e ligjit, që ne të jemi si gjithë evropianët”, tha Havaroi. Ai shtoi se ka punuar për 47 vite me radhë për këtë tokë dhe nuk ka ndërmend ta lëshojë tani që ligji ia ka dhënë. “Kemi përfituar nga ligji 7501, sikundër tre të katrëtat e Shqiparve që i kanë marrë tokat në bazë të këtij ligji. Nuk e lëshojmë tokën dhe i bëjmë thirje qeverisë që të zbatojë ligjin 7501 ose të na hapë rrugën që të marrim tokën që kemi trashëguar nga të parët, një më një, atje ku e kemi”, tha Havari.
Në përfundim, të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord të mos e ndalin protestën deri në zbatimin e plotë të ligjit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›