E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqet dheu, dëmtohen pesë shtëpi në Porto Romano

Durrës
Tre nga familjet i kanë braktisur banesat, ndërsa dy kanë qëndruar

Rrëshqitjet e dheut në zonën kodrinore të Porto Romanos, në veri të qytetit bregdetar të Durrësit, kanë bërë të pabanueshme 5 shtëpi, ndërsa të tjera rrezikohen të shemben. Reshjet e shiut të ditëve të fundit dhe shpyllëzimi masiv i kodrës kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e ndërtimeve të ngritura në të gjatë dy dekadave të fundit nga familje të ardhura kryesisht prej Myzeqesë dhe pjesa juglindore e vendit. Tre shtëpi janë braktisur nga familjarët që ndihen të rrezikuar me jetën, ndërsa dy të tjera kanë mbetur në to. Plasaritje muresh, tavanesh dhe shembje të mureve rrethuese. Dëmtimet që dora e njeriut ka bërë ndër vite në zonat kodrinore natyra po i nxjerr në pah përmes rrëshqitjeve të dheut që kanë vënë në rrezik banorët të cilët jetojnë pranë kodrave dhe të tjerë në zonat pranë kolektorëve. Afërdita Dedej, nënë e dy fëmijëve, tregon se si tre net më parë rrëshqitja e dheut ka bërë që shtëpia të pësojë të çara të forta dhe ajo ditën qëndron në to dhe natën te fqinjët, për të siguruar kokën. Të njëjtën gjë thonë edhe Mikel e Fatmira Zykollari. Ndihen të rrezikuar me jetën në shtëpitë e tyre dhe shpresojnë se do të ndihmohen nga pushteti vendor për këtë që po u ndodh. Kanë njoftuar pranë njësisë administrative, së cilës i përkasin dhe vetëm dje në vendngjarje ata tregojnë se ka mbërritur një grup punonjësish që kanë vëzhguar në vend situatën dhe mbajtur procesverbale. U kanë thënë se do të kthehen me inxhinierë të bashkisë dhe ekspertë për të bërë vlerësimin real të situatës dhe të dëmeve dhe për të ndërhyrë në mbështetje të tyre. Ndërkohë, familjet janë strehuar te të afërm dhe fqinjë të tyre, ndërsa kodra vazhdon të shfaqë shenja të rrëshqitjeve të tjera, duke bërë që të ndihen të rrezikuar edhe shumë shtëpi të tjera në këtë zonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›