E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërheqja e ujit nxjerr në shesh pasojat e përmbytjes

Shtëpitë e para që kanë dalë nga uji kanë çarje themelesh dhe rrezikojnë shembje

Përmbytjet e dy javëve më parë në zonën e Nënshkodrës kanë nxjerrë jashtë funksionimit të gjitha tokat bujqësore. Aktualisht ato janë të mbuluar nga llumi i ujërave të ndotura dhe mbeturinat. Por, si për të mos mjaftuar, uji ka shkaktuar dëme serioze dhe në banesa disa prej të cilave kanë marrë të çara në themele.
Rrok Preka, një prej fermerëve të zonës së Nënshkodrës, pas sprapsjes së ujit ka gjetur të shkatërruar të gjitha të mbjellat dhe e gjithë toka prej 3 dynymësh është mbuluar nga mbeturinat që ka sjellë lumi. Duke folur për gazetën, ai thotë se “kjo ka qenë përmbytja më e madhe që kemi pasur ndonjëherë, jo vetëm për nivelin e ujit, por edhe për sa i përket ndotjes që ka shkaktuar, pasi uji ka qenë tepër i ndotur. Duke u përzier me ujërat e zeza, përmbytja ka shkaktuar dëme tepër të mëdha ekologjike. I gjithë prodhimi që kam pasur ka shkuar dëm, por tani duhet të dezinfektohet edhe toka. Nëse nuk vë dorë shteti do ta mbuloj me naftë për ta dezinfektuar, pasi edhe prodhimet që mund të nxjerrë kjo tokë mund të kenë probleme. E gjithë toka prej 3 dynymësh që kam më është mbushur me shishe e mbeturina”. Duke folur më tej për dëmet që shkaktoi “tërbimi” i Drinit, Preka thotë se banesa e tij ka qëndruar për katër ditë nën ujë dhe kjo ka bërë që themelet të krijojnë të çara dhe e gjithë shtëpia mund të rrezikojë shembjen, pasi tashmë toka është baltë. Situata është e tillë në të gjithë zonën e Nënshkodrës, ku tokat duket se do të duhet kohë të fillojnë ciklin e tyre të mbjelljeve. Sipas të dhënave më të fundit, sipërfaqja e tokës së përmbytur arrin në rreth 1500 ha dhe shtrihen në komunat: Bërdicë, Trush dhe Dajç. Por në këtë situatë shqetësuese nuk mbetet vetëm toka bujqësore, por edhe ushqimi i bagëtive. Aktualisht janë 36 mijë gjë e gjallë që është e izoluar nga uji që ushqehet me atë se çfarë dërgohet me helikopter. Ndërkohë, situata sa vjen e përmirësohet në hyrje të qytetit. Në lagjen “Xhabije” nuk ka më ujë, po kështu edhe në lagjen “Ajasëm”, ndërsa është duke rënë ndjeshëm uji në lagjen e “Livadeve”. Zona e Nënshkodrës çdo ditë ka sipërfaqe toke që dalin nga uji. Problematike vazhdon të mbetet zona e Velipojës, pasi rruga nacionale vazhdon të jetë e bllokuar në vendin e quajtur Ura e Gjo Lulit. Situatë problematike vazhdon të ketë një zonë e Obotit, Mali i Jushit dhe Dajçi. Nga informacionet më të fundit nga shtabi i emergjencës mësohet se deri mbrëmjen e djeshme në këto zona uji është duke pësuar rënie dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm mendohet që brenda tri ditësh e gjithë zona e Nënshkodrës të bëhet e kalueshme për automjetet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›