Ministria: Rama, burracak që bën monolog
Ka reaguar menjëherë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pas deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama, për punë aspak profesionale të Dritan Priftit. Në këtë rast, ministria i bën thirrje Ramës që pranojë ftesën për debat publik rreth problemeve me HEC-et në veri, si edhe me përmbytjet. “Dëgjuam Edi Ramën përsëri në monologun e tij të hedhë akuza dhe shpifje kundër punës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, si edhe kundër KESH-it. Ministri, z. Dritan Prifti i kërkoi Edi Ramës të zgjedhë njeriun më të mirë për të dalë në një debat publik me dokumente dhe prova për menaxhimin e kaskadës dhe zbatimin e ligjeve, por z. Rama, si burracak, vazhdon monologun duke shmangur debatin dhe transparencën”, deklaroi METE. Reagimi vazhdon me thirrjen publike që ministria i bën Ramës për të pranuar “përballjen profesioniste në një studio televizive për t’u treguar të gjithë shqiptarëve kush është e vërteta, kush punon dhe kush shpif”.
#