E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon mbledhja e ndihmave në të gjithë vendin

Solidariteti

Nismës për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës çdo ditë i bashkohen nëpunës të administratave publike, qytetarë e shkollarë nga i gjithë vendi. Kështu, studentët e filialit universitar të Sarandës, nxënës të disa shkollave nga Konispoli, Livadhjaja e Borshi, si edhe nga qyteti i Sarandës kanë mbledhur ndihma në të holla dhe mjete mësimore. Ndërkaq, Bashkia e Delvinës dhe Komuna e Ksamilit kanë dhuruar nga 500 mijë lekë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga përmbytjet. Ndërsa në Kukës komuniteti i biznesit dhe institucionet publike, si edhe pushteti vendor kanë vazhduar të mbledhin të holla dhe ndihma materiale që i adresohen Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile për zonën e Nënshkodrës. Kështu, Drejtoria Rajonale e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Filiali i Postave në Kukës dhe dhjetëra firma private kanë dhënë të holla dhe ndihma materiale për zonat e prekura nga përmbytjet. Ndërsa nga Durrësi ndihma janë dhënë jo vetëm në të holla dhe ndihma materiale, por është dhuruar edhe gjak për njerëzit në nevojë. Efektivat e repartit zjarrfikës në Durrës kanë dhuruar gjak paraditen e djeshme, duke dhënë në këtë mënyrë kontributin e tyre në ndihmë të njerëzve në nevojë, të cilët u shpërngulën nga banesat e tyre në veriperëndim të vendit. Pranë familjeve të përmbytura që janë strehuar në një hotel të qytetit të Durrësit, afër Urës së Dajlanit, vazhdojnë të mbërrijnë ndihma në ushqime, ilaçe dhe veshmbathje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›