E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagim, Mëhilli: Socialistët, në 8 vite, kanë dhënë vetëm një shpërblim për pensionistët

Pas deklaratës së deputetit të PS-së, Ilir Beqja, se qeveria mashtron shqiptarët për shpërblimet ka reaguar zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, duke i cilësuar si trillime. Mëhilli deklaroi se PS-ja në 8 vite ka dhënë vetëm një shpërblim për pensionistë, dhe ai ka qenë 3.5 mijë lekë për pensionistët në qytet dhe 1.5 mijë lekë për pensionistët në fshat, madje ky shpërblim i dhënë vetëm një herë në 8 vite qeverisje, është dhënë vetëm për qëllimet elektorale të vitit 2005. “Edvin Rama dhe çeta e bllokmenëve të rinj nxorën sot në tregun e mediave trillimin e radhës, sipas të cilit, shpërblimi që u jepet pensionistëve këtë vit është 30% më i vogël se shpërblimi i dhënë nga qeveria socialiste në vitin 2004”, - u shpreh Mëhilli. Ajo theksoi se këto trillime të ulëta janë të denja vetëm për Edvin Ramën dhe grupin që ai kryeson. “Grupi i bllokmenëve milionerë në krye të Partisë Socialiste mund të ketë çdo lloj interesi në këtë botë, përveç interesave sociale, pasi në traditën e paraardhësve të tyre ata të varfrit i duan vetëm për t’i varfëruar më tej”, - tha Mëhilli.

Berisha: “Tadiç e mirëpriti ftesën për të vizituar Shqipërinë”

Kryeministri Berisha deklaroi gjatë takimit me anëtarin e Kryesisë së Kosovës, Petroviç, se e ka ftuar presidentin serb, Boris Tadiç, në Shqipëri pasi tani marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një kapitull të ri. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Berisha tha se në çdo samit ka pasur takime me presidentin serb Tadiç, i cili, sipas Berishës, ka mirëpritur ftesën për të vizituar Shqipërinë. “Në çdo samit takohem me presidentin Tadiç dhe ajo çka vlerësoj shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe unë dua t’u them se po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti e ka mirëpritur ftesën për të ardhur në Shqipëri”, - u shpreh kryeministri Berisha. Edhe vizitën e Petroviçit në vendin tonë, Berisha e ka cilësuar historike, ndërsa në konferencën për shtyp u bë e ditur se qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 400 mijë eurosh si ndihmë për komunën e Graçanicës. Petroviç e ka cilësuar këtë ndihmë mjaft të rëndësishme dhe theksoi se ajo nuk shkon vetëm në ndihmë të komunitetit serb.

Idrizi-Dule, debate në Kuvend për çamët dhe minoritetin

PDU dhe PDNJ janë përfshirë në debate të ashpra me njëra-tjetrën. Ka qenë fillimisht deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri që e akuzoi Dulen si antikombëtar. Sipas Tahirit, Dule duhet të ndiqet penalisht. Ndërkaq, Dule deklaroi se PDU-ja është në krizë elektorale dhe për këtë arsye përbalt PBDNJ-në. Pas kësaj, menjëherë ka replikuar Shpëtim Idrizi, i cili bëri përgjegjëse PS-në që ka pranuar në gjirin e saj PBDNJ-në pas largimit nga Berisha. Sakaq, Dule ka nisur replikën me Idrizin, por për shkak të toneve të larta të debatit, kryeparlamentarja është detyruar të ndërpresë seancën plenare.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›