Beqja: Dështon premtimi i qeverisë për shpërblimet e fundvitit
Partia Socialiste akuzon qeverinë se nuk ka mbajtur premtimin për shpërblimet e vitit 2009. Opozita deklaron se familjet shqiptare jo vetëm që nuk do të gëzojnë shpërblimet e premtuara në fundvitit, por nuk do të festojnë as liberalizimin e vizave.
Deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha ka mashtruar familjet shqiptare për shpërblimet e fundvitit. Beqja reagoi pas vendimit të kryeministrit se 800 mijë familje do të marrin kartolinën e Vitit të Ri nga qeveria. “Gënjeu përsëri dhe tashmë prej muajsh jemi dëshmitarë që Sali Berisha është në garë me gënjeshtrat e tij. Gënjeu para deputetëve të tij, të cilët nuk pipëtinë sepse Jozefina ua ka zënë gojën me shpërblimet që kanë marrë”, - u shpreh deputeti socialist. Beqja deklaroi se qeveria nuk ka asnjë shpërblim për 90 mijë familjet me ndihmë ekonomike, për 142 mijë familjet e të papunëve zyrtarë, për mbi 60 mijë familjet e personave me aftësi të kufizuara, për 70 mijë familjet e bizneseve të vogla. Gjithashtu, deputeti socialist, në listën e zezë listoi edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike me 22% dhe sipas projektit më të fundit dy kasa regjistruese. Deputeti Beqja deklaroi se pensionistëve kryeministri Sali Berisha po u jep një shpërblim 30% më të ulët se shpërblimi që kanë marrë para 5 vjetësh, në vitin 2004.
Premtimi
Partia Socialiste ka bërë transparente fondin e shpërblimeve të parashikuara nga qeveria, i cili bën të qartë se kryeministri Sali Berisha nuk ka mbajtur premtimin për shpërblimet. “Sali Berisha duhet të tregojë të vërtetën edhe për fondin e shpërblimeve të këtij viti. Vetë teksti i vendimit për dhënien e shpërblimeve është përgënjeshtruesi më i madh për Sali Berishën”, - u shpreh Beqja. Sipas deputetit socialist Beqja, në fondin e shpërblimeve konfirmohet se për vitin 2009 Sali Berisha nuk u dha pensionistëve 5.3 milionë USD dhe tani vetëm se u shlyen detyrimin e mbetur. Ndërkaq, në këtë fond konfirmohet se për vitin 2009 Sali Berisha nuk u dha ish-ushtarakëve 3 milionë USD dhe tani vetëm se u jep një pjesë të borxhit. “Njeriu që kemi për kryeministër nuk ka mbajtur premtimet për asnjë nga këto grupe të shoqërisë”, - tha Beqja, duke shtuar se “ndërkohë fqinjët marrin nga qeveritë e vendeve të tyre si dhuratë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri lëvizjen pa viza në hapësirën ‘Shengen’, shqiptarët marrin nga ky kryeministër që gënjen dhurata të hidhura si shtrenjtimi i energjisë dhe rritjen e çmimeve”.
Fondi i shpërblimeve
Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpërblimet parashikonte se 900 000 000 (nëntëqind milionë) lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2009, të përllogaritej në 115 000 000 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë) lekë nga fondi rezervë, 300 000 000 (treqind milionë) lekë nga fondet e planifikuara për pagesat e interesave të huaja, 485 000 000 (katërqind e tetëdhjetë e pesë milionë) lekë nga fondet e planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht: 285 000 000 (dyqind e tetëdhjetë e pesë milionë) lekë nga fondet e planifikuara për programin “Mbështetje sociale për ushtaraket” dhe 200 000 000 (dyqind milionë) lekë nga fondet e planifikuara për programin “Forcat e luftimit”, si dhe 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë nga fondet e programuara në buxhetin e ISSH-së për vitin 2009.
24 Dhjetor 2009