E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Shijakut, 4 ditë pa ujë, po lajnë borxhet e Ujësjellësit

Shijaku, prej katër ditësh është pa ujë të pijshëm, si pasojë e mosmarrëveshjeve mes Ujësjellësit dhe OSSH-së. Një situatë problematike në furnizimin me ujë është konstatuar dhe në qytetin e Durrësit dhe zona të tjera të qarkut gjatë ditëve të fundit. Mungesa e ujit ka shkaktuar pakënaqësi te banorët dhe pushtetarët lokalë të qytetit, të cilët kanë kërkuar që pasojat e një marrëdhënieje të keqe financiare mes dy ndërmarrjeve mos t‘i vuajnë konsumatorët e rregullt. Nënkryetari i bashkisë së këtij qyteti, Indrit Buka, në një deklaratë për shtyp e ka denoncuar këtë situatë të rëndë që u ka mohuar ujin banorëve. OSSH-ja ka ndërprerë energjinë elektrike në stacionin e pompave në Fushë-Krujë, nga ku furnizohet me ujë të pijshëm Shijaku, ashtu si dhe i gjithë Durrësi dhe komunat e qarkut. Ndërprerja e energjisë elektrike në stacionin e pompimit është pasojë e borxhit të madh që ka ndërmarrja e Ujësjellësit ndaj OSSH-së, po në këtë rast pasojat kanë rënduar mbi qytetarët. "Qytetarëve shijakas po u mohohen një nga një të drejtat më thelbësore, siç është furnizimi me ujë. Shijaku është një qytet me nivel shumë të lartë arkëtimesh për sa u përket faturave të ujësjellësit. Niveli i arkëtimeve është në masën 75 për qind, po banorët e Shijakut në rastin konkret po penalizohen për keqmenaxhimin e paaftësinë së Ujësjellësit, për të dalë nga lista e debitorëve të KESH-it", tha nënkryetari Buka, duke bërë apel për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj gjendjeje të rëndë. Në emër të qytetarëve që përfaqëson, nënkryetari i Bashkisë së Shijakut kërkoi zgjidhjen urgjente të këtij problemi shqetësues, të cilin e quajti të paprecedent, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive të strukturave shtetërore, të cilat kanë shkaktuar penalizimin masiv të një qyteti të tërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›