E Diel, 1 Nëntor 2026

Keisi Stoner, "pole" në Valencia

Keisi Stoner do të niset nga "pole position" në Çmimin e Madh të Valencias. Piloti australian i Dukatit ka regjistruar kohën më të shpejtë në provat zyrtare, duke e frenuar kronometrin në 1‘31‘‘502. Pas tij janë renditur "patrulla" e Hondas, e formuar nga Pedroza e Heiden. Në vendet katër dhe pesë do të nisen Eduards e Tosland me Jamaha "tech3". Vetëm vend i dhjetë për Valentino Rosin, kampionin e botës për këtë vit, i cili ka gabuar strategji, duke i përfunduar përpara të tjerëve gomat e provave. Xhirot e djeshme kualifikuese janë ndikuar edhe nga koha e paqëndrueshme dhe asfalti i rrëshqitshëm. Reshjet e së premtes dhe të shtunës në cirkuitin spanjoll nuk i lejuan pilotët që të gjenin "set-up"-in e duhur të motorëve. Kjo ishte arsyeja përse në 60 minutat e provave, ku është garuar në asfalt thuajse të thatë, fillimisht skuadrat menduan të ndërtonin motorin e përshtatshëm për garë, ndërsa vetëm në minutat e fundit filloi gara e vërtetë për nisjen nga vendi i parë. Një situatë shumë konfuze, që kur mungonin 30 minuta nga mbyllja, u shndërrua në panik pas rënies së disa pikave shi. Mes atyre që paguan çmim të shtrenjtë në momentet e kaosit ishte Rosi, i cili i kishte përfunduar përpara mbylljes së provave gomat që kishte në dispozicion.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›