E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studime master dhe doktoraturë në Gjermani, rruga që duhet ndjekur

"Studimet master dhe ato për një doktoraturë në universitetet gjermane mund të kryhen edhe pa njohur gjuhën gjermane. Ato mund të zhvillohen edhe në anglisht. Ndërkohë që mundësia e përzgjedhjes për një degë të nivelit master është e madhe me mbi 400 degë. Por, mundësitë për një degë të nivelit bachelor në anglisht janë rreth 80, pra jo shumë të përhapura". Dy lektorët e DAAD-së, Jürgen Röhling dhe dr. Holger Kächelein, të cilët japin mësim në Universitetin e Tiranës, përkatësisht në lëndët gjermanistikë dhe ekonomiks, udhëzojnë në këtë mënyrë të rinjtë shqiptarë që janë të interesuar për studime të avancuara në Gjermani. DAAD është Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, një organizatë kjo e përbashkët e shkollave të larta gjermane që mbështet marrëdhëniet ndërkombëtare të tyre. DAAD (www.daad.de) ka vënë në dispozicion në faqen e internetit një bankë të veçantë të dhënash me programet ndërkombëtare të studimit, ku fjala kyç që duhet përdorur në këtë rast është: International Programmes. Sipas dy profesorëve, një informacion për të gjitha degët e studimit në gjuhën gjermane gjendet në www.daad.de, ku mund të kërkohet më tej me: Informacione për të huajt. Lidhur me pyetjen se cili është universiteti i duhur në Gjermani për të studiuar, profesorët përgjigjen se së pari kjo varet nga dega e studimit. Për këtë temë, pohojnë ata, mund të kërkohet ndihmë në revistën e përjavshme "Die Zeit", e cila vlerëson degë të ndryshme (www.das-ranking.de vetëm në gjermanisht ose http://www.daad.de/deutschland/hochschulen/hochschulranking/06543.en.html në gjuhën angleze. Për sa i përket kërkimit shkencor, mundësitë janë shumë të mira për studim edhe në anglisht. Nga njëra anë ekziston mundësia e përzgjedhjes së një programi të strukturuar studimor për doktoraturën në mbi 150 programe ndërkombëtare; dhe nga ana tjetër ekziston ende promocioni ose doktoratura klasike, e cila shpesh mund të bëhet edhe në anglisht. Një program i strukturuar për doktoraturën përmban një fazë studimi, në të cilën është e detyrueshme ndjekja e kurseve, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me temën e përzgjedhur. Ky program ka avantazhin që doktorantit nuk i duhet të zgjedhë vetë një udhëheqës teme për punën e tij para qëndrimit të tij në Gjermani. Ndërsa në rastin e një promocioni klasik, kush zgjedh këtë rrugë ka nevojë për një profesor (udhëheqës) në Gjermani. Ky i fundit duhet të marrë përsipër udhëheqjen e doktoraturës. Për të gjetur një udhëheqës të përshtatshëm, kandidati i interesuar duhet të jetë i qartë që në fillim për temën rreth së cilës dëshiron të shkruajë doktoraturën. Më pas ai gjen profesorin e interesuar për temën e tij. Kjo arrihet për shembull në konferenca në fushën e specialitetit, ose në faqet e internetit të profesorëve, ku ata prezantojnë temat e tyre kërkimore. "Pasi të jetë gjetur profesori, jepini vetes kurajo dhe shkruani një e-mail, ku të prezantohet tema përkatëse dhe pyesni nëse profesori do të ishte i gatshëm të merrte përsipër udhëheqjen. Dhe kërkesa të tilla marrin përgjigje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë pyesni edhe një herë, ose merrni në telefon", sugjerojnë lektorët e DAAD-së. Shanset, pohojnë ata, do të jenë të mira nëse projekti është paraqitur mirë dhe saktë. Kriteret për të përfituar një bursë varen nga programi. Në përgjithësi kërkohen rezultate të shkëlqyera. Por kjo nuk nënkupton gjithmonë nota maksimale, pra edhe aplikues, të cilët gjatë studimit në shkollën e lartë kanë qenë "të mirë", por që kanë paraqitur një projekt të mirë kërkimor. Rolin kyç e luan pothuaj në të gjitha rastet përshkrimi i projektit. Kjo vlen sidomos për bursat për programe doktorature. Këtu është e rëndësishme që projekti të jetë bindës, ndërsa notat mund të konsiderohen edhe dytësore.

Ndërsa theksohet se ka edhe një mënyrë për të shmangur qëndrimin trevjeçar në Gjermani. Këtu ekziston mundësia e një promovimi sipas modelit "sandwich", çka do të thotë se puna udhëhiqet nga një profesor shqiptar dhe një gjerman. Kështu, kërkimet do të bëhen pjesërisht në Gjermani dhe pjesërisht në Shqipëri. Shpeshherë synohet promovimi në vendin përkatës (pra në Shqipëri), pasi kjo është më e lehtë për t‘u zbatuar, megjithatë kjo nuk është e detyrueshme. Gjithashtu është e mundur të synohet mbrojtja e titullit të doktoraturës në Gjermani, nëse lejohen udhëheqës të jashtëm. Kështu, për shembull, midis Universitetit të Bamberg-ut dhe atij të Tiranës është lidhur një marrëveshje për promovim të dyfishtë, që i jep mundësi doktorantit të zgjedhë, nëse dëshiron të mbrojë titullin "Doktor" në shqip ose gjermanisht. Një tjetër çështje është edhe ajo e kostos së studimeve. Profesorët e DAAD-së sqarojnë se disa nga Landet e Gjermanisë po aplikojnë tashmë tarifa për studime që shkojnë deri në 500 euro për semestër. Në rastin e universiteteve private, këto tarifa sigurisht janë më të larta, ndërkohë që doktorantët shpesh janë të çliruar prej tyre. Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe ato të jetesës. Një rol luan sigurisht edhe vendi i zgjedhur për studime. Në qytetet e vogla universitare qiraja dhe jetesa janë më të leverdishme sesa në qytete të mëdha si Hamburgu, Frankfurti apo Mynihu. Megjithatë, mund të thuhet se një studenti i nevojiten të paktën 700 euro në muaj krahas tarifës së shkollës. DAAD-i nuk është e vetmja alternativë për të përfituar një bursë. Në faqen e internetit www.funding-guide.de DAAD ka vënë në dispozicion një bankë të dhënash me një sërë programesh të përzgjedhura për bursa në Gjermani. Vlen të përmendet edhe "Fondi i Ekselencës", informacionet mbi të cilin janë vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›