Te Milani nuk ka vend për Andrij Shevçenkon
Pasi është arkivuar kjo pjesë e parë e impenjimeve në Kupën UEFA, Milani i rikthehet kampionatit dhe në krye të çështjeve problematike të kuqezinjve mbetet Andrij Shevçenko. Në fakt, Ançeloti nuk është se ka ndërmend të eksperimentojë apo të bëjë "turnover" dhe në Bergamo do të zbresë "Djallin" titullar, me Kaka dhe Ronaldinjo në krah të sulmuesit të vetëm, i cili do të jetë Borrielo. Inzagi, i cili shënoi edhe të premten, dhe Pato, janë sulmuesit e zgjedhur për të qenë të gatshëm si zëvendësues nga pankina: Ndërsa sulmuesit ukrainas nuk i mbetet gjë tjetër veç tribunës. Të mërkurën është shumë e mundshme që të rikthehet. Në "San Siro", për ndeshjen që luhet më mesjavë, do të vijë Napoli dhe për Shevçenkon është më e mundshme të ketë një vend të paktën në 18-shen e skuadrës. Pra, tribuna nuk është përgjithmonë për ukrainasin. Të enjten e kaluar Sheva ka bërë një paraqitje jo të mirë në Holandë, ku, përballë një mbrojtjeje kundërshtare jo fondamentale, Andrij nuk ka mundur të gjejë golin, duke humbur shumë raste për shënim në këtë takim. Për sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, janë parashikuar rikthimet e Maldinit dhe Jankulovskit në mbrojtje dhe të Ambrozinit dhe Sedorfit në mesfushë, për të dizajnuar një Milan, i cili, me përjashtim të Pirlos dhe Nestës, mund të përkufizohet se është ai titullari. Në Bergamo, fushë ku Milani e ka pasur shpesh shumë të vështirë, nuk bëhet shaka dhe Ançeloti, duke formuluar formacionin, e ka kujtuar një gjë të tillë.