Banorët e Shishtavecit, 5000 euro për xhirimin e një filmi
Regjisori kosovar Jeton Ahmetaj nuk ka mundur të xhirojë asnjë ditë në kufi të Shqipërisë. Ai kishte menduar që disa skena të filmit të tij të ri "Gomarët e kufirit" t'i realizonte në Shishtavec të Kukësit, por nuk ka ndodhur kështu. Gazeta kosovare "Express" shkruan se banorët nuk kanë lejuar xhirimet pasi u kanë kërkuar producentëve 5000 euro për përdorimin e oborrëve të tyre. Ndërkohë që sipas kësaj gazete ekipi i filmit ishte pajisur me lejen e xhirimit nga Qendra jonë Kombëtare Kinematogra-fike, e cila ka ofruar edhe teknikën. Regjisori Jeton Ahmetaj, një javë me parë, kur kishin filluar xhirimet e para, kishte thënë se do të zhvendosej me xhirime në fshatin Shishtavec të Kukësit, pasi në atë fshat reshjet fillojnë më herët. "Do fillojmë në Shqipëri për shkak të motit dhe pastaj do të kalojmë në Kosovë", kishte thënë Ahmetaj. Por, si duket plani i Ahmetajt kishte dështuar për shkak të kërkesave të fshatarëve të Shishtavecit. Shuma prej 5000 eurove që ata kanë kërkuar nga producentët e filmit është më e madhe sesa një kontratë e një punëtori teknik të filmit, i cili nuk paguhet më shumë se 2000 euro. "Tani xhirimet e filmit do të kryhen të gjitha në Kosovë, ku është gjetur një fshat shumë i përshtatshëm për ta bërë këtë", ka thënë një burim për gazetën. Filmi trajton historinë e dy fshatrave shqiptare, njëri brenda kufijve administrative të Shqipërisë dhe tjetrin brenda kufijve administrative të Kosovës, të cilët furnizohen me ujë nga i njëjti fshat gjatë kohë së ish - Jugosllavisë. Por, ata kontrolloheshin rreptë nga ushtritë komuniste të dy vendeve. Filmi flet për një mësues kosovar i cili e ëndërron Shqipërinë e Enver Hoxhës si një parajsë me lule, kurse Jugosllavinë si një ferr. Por, kur e viziton atë ndodh ajo që ai nuk e kishte pritur, pasi has në probleme të ndryshme të sistemit diktatorial shqiptar.
(d.b/BalkanWeb)