E Diel, 1 Nëntor 2026

“Goli? Më mirë që ma shënoi një shqiptar”

 

Ka mbrojtur me sukses portën e Shqipërisë në miqësoret kundër Gjeorgjisë dhe Qipros. Por ka shkëlqyer edhe në Italia në Serie C1 te Novara, skuadër tek e cila u dha në formë huazimi për një sezon vetëm para një muaji. I grumbulluar me kombëtaren, Njëshi i Novarës ndalet edhe tek goli i parë i pësuar në kampionat me këtë skuadër që për çudi mban firmën e një tjetër futbollisti shqiptar, ish-sulmuesi i kombëtares, Florian Myrtaj. “Myrtaj më bëri një gol shumë të bukur. Nuk kisha asnjë mundësi ta shmangja. Natyrisht, që nuk jam i kënaqur që pësova gol, por më mirë që e pësova nga një shqiptar, sesa nga ndonjë tjetër. Ndoshta më sjell mbarësi. Gjithsesi, fituam 2-1 dhe kjo i mbylli edhe polemikat brenda skuadrës”, pohon portieri kuqezi. Ujkani tregon edhe bisedën para dhe pas ndeshjes me Myrtajn, ku natyrisht takimi pas përfundimit të 90 minutave ishte më i kënaqshëm për portierin sesa për sulmuesin e Sorrentos. “Ishim takuar edhe para fillimit të takimit. E njohëm menjëherë njëri-tjetrin, pavarësisht se ishte hera e parë që luanim kundër njëri-tjetrit. Në të vërtetë, më përgëzoi për ato çka kishte dëgjuar më parë për mua. Mu bë qejfi, pasi ai është lojtar me eksperiencë, dhe për më tepër ka qenë futbollist i Kombëtares shqiptare. Më erdhi keq për të, se mori një karton të kuq dhe kur u takuam pas ndeshjes më shumë folëm për këtë rast. Myrtaj, me tha se nuk erdhi keq që humbi, por se u ndëshkua, sipas tij, me pa të drejtë”, ka konfirmuar Ujkani. Portieri i kombëtares jep edhe përshtypjet e para për qytetin dhe skuadrën e re me të cilën do të luajë këtë sezon për tu rikthyer sërish më 2010-2011 te Palermo. “Novara ka një grup të mirë. Ka disa lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur më parë në Serinë B, por dhe një grup tjetër lojtarësh të rinj e ambiciozë. Personalisht shkova te Novara për të luajtur e fituar eksperiencë. Me përfundimin e sezonit do të rikthehem sërish te Palermo”, ka pohuar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›