Omonia shpif për djegien e flamurit grek
Shoqata “çamëria” ka reaguar dje në lidhje me akuzat e organizatës “Omonia” për protestat e zhvilluara në Shqipëri pas thirrjeve raciste dhe antishqiptare të ushtrisë greke në Athinë. “Nga mediat jemi njohur me një reagim të shoqatës ‘Omonia’, në lidhje me një manifestim të komunitetit tonë para ambasadës greke. Sipas këtij reagimi, gjatë manifestimit tonë qenkëshin djegur flamuj grekë, madje në prani të deputetëve të PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri”, thuhet në deklaratën e shoqatës “çamëria”. “Duam të hedhim poshtë me indinjatë dhe përbuzje këtë shpifje dhe dezinformim të krijuar me art, me qëllim që të barazohen dy ngjarje të pakrahasueshme. Shpifja e orkestruar synon të barazojë marshin çnjerëzor të marinarëve grekë me të ashtuquajturin incident me flamurin grek, që sipas ‘Omonia’-s e paskemi djegur ne”, thuhet në deklaratë. Shoqata “çamëria” mohon kategorikisht që në manifestimin e saj të jenë djegur flamuj grekë. Sipas deklaratës, nuk është në natyrën e shoqatës “çamëria”, anëtarët e së cilës janë bij të një komuniteti që kanë qenë shtetas shembullorë të Greqisë, të djegin flamujt e kombeve të tjera.
#