Ivanov flet me Topin për thirrjet raciste në Athinë
Thirrjet raciste të një kompanie të marinës greke kanë shtyrë Presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov, të zhvillojë një bisedë telefonike me Presidentin shqiptar, Bamir Topi. Zyra e shtypit e Presidentit të Republikës njoftoi dje se “gjatë bisedës, Presidenti Ivanov shprehu shqetësimin për situatën e krijuar nga sjellja e disa ushtarëve grekë ditët e fundit ndaj vendeve fqinje”. Më tej, në njoftim thuhet se Presidenti Bamir Topi i bëri të ditur homologut maqedonas se e vlerëson këtë incident si një ngjarje të izoluar, e cila nuk prek kurrsesi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe e konsideron atë si një çështje të tejkaluar, i bindur se marrëdhëniet mes vendeve tona po zhvillohen gjithnjë e më mirë në funksion të interesave të përbashkëta. Gjatë kësaj bisede telefonike, Presidenti Topi ka vlerësuar ndjesën e autoriteteve greke për ngjarjen, duke ndarë sjelljen e disa individëve nga sjellja institucionale. Më tej Topi ka vlerësuar se marrëdhëniet në rajon nuk duhet të influencohen nga ngjarje të izoluara. Në këtë mënyrë, Topi i ka bërë të qartë homologut se Tirana zyrtare e konsideron incidentin çështje të mbyllur.
#