E Diel, 1 Nëntor 2026

PDU: Ka ardhur koha të mos heshtim më për Çamërinë

Reagimi Partia që përfaqëson çamët në Kuvend, përshëndet deklaratën e Presidentit Bamir Topi

Partia Drejtësi dhe Unitet, që përfaqëson komunitetin çam në Kuvendin e Shqipërisë, ka përshëndetur dje deklaratën e bërë dy ditë më parë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për çështjen çame dhe për nevojën që kjo çështje të rikthehet në diplomacinë shqiptare. Në një deklaratë për shtyp, PDU thekson se “deklarata e Presidentit Topi përbën një hap të rëndësishëm përpara për zgjidhjen e këtij problemi, i parë si problem i të drejtave të njeriut të një pjese të popullsisë shqiptare”. Me këtë rast, Partia Drejtësi dhe Unitet u bën një thirrje të fortë të gjitha partive që të ndalin apatinë që i ka shoqëruar për çështjen çame e të mos heshtin më. PDU kërkon nga aktorët politikë shqiptarë që ta lejojnë diplomacinë shqiptare të veprojë ashtu sikurse çdo diplomaci europiane, mbi bazat e reciprocitetit me të gjitha vendet dhe të mos pranojnë më marrëveshje që janë në interes vetëm të palës tjetër dhe që nuk i shërbejnë bashkëpunimit ndërmjet vendeve.

Për çamët, deklarata e Topit duhet të shërbejë si lajtmotiv në politikën e jashtme të Shqipërisë, ku vendi ynë të sigurojë me çdo mënyrë të drejtat e qytetarëve të huaj, por të ketë si prioritet dhe në qendër të vëmendjes çështjet e pambyllura që kanë të bëjnë me shqiptarët. “çështja çame, në ndryshim nga sa mund të jetë përmendur nga disa politikanë shqiptarë, nuk është një çështje e një komuniteti, e aq më pak e disa individëve, ajo është një çështje e të gjithë shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PDU-së, ndërsa më tej theksohet se, të gjithë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të ndjekin të gjitha rrugët e mundshme demokratike për të vendosur në vend një të drejtë që i është mohuar një pjese të popullsisë shqiptare, të dëbuar me dhunë, të vrarë e të syrgjynosur, me prona e varre të lëna pas, pa një vend ku të qajnë të parët e tyre e pa mundësi për të parë qoftë edhe një herë vendin ku kanë lindur apo vendin ku kanë origjinën.
Sipas partisë së çamëve, kjo padrejtësi nuk duhet të jetë më vetëm disa rreshta në një faqe të vetme të librave shkollorë, por duhet të kthehet medoemos në një strategji të hapur transparente e kombëtare e politikës sonë të jashtme, e bazuar tërësisht në normat ndërkombëtarë.

Por në deklaratën e PDU-së thuhet gjithashtu se “deklarata e Presidentit Topi na gëzon e njëkohësisht na hidhëron”, ndërsa më tej sqarohet se “kjo deklaratë na bën të kujtojmë se politika shqiptare sillet si fajtore në raport me Greqinë për çështjen çame e jo si shteti ku sot banojnë viktimat e vërteta të asaj tragjedie”. PDU është e mendimit se ka ardhur koha që të mos heshtet më, por të kërkohen të gjitha të drejtat që i takojnë komunitetit çam. “Të kërkojmë ndjesën e fqinjëve tanë, pronat tona, nënshtetësinë, të drejtën për të parë vendin e origjinës”, thuhet në deklaratë. Në fund, përfaqësuesit politikë të komunitetit çam u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos heshtin përballë kësaj çështjeje, që nuk do të mbyllet kurrë deri sa të gjendet një zgjidhje: Ka ardhur koha që të gjithë të flasim e të dalim si të barabartë në arenën ndërkombëtare, pa u sjellë si fajtorë, kur jemi viktima!

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›