Identiteti i rremë në internet, vetëm 360 euro gjobë në Shqipëri
Në Shqipëri, prej rreth një viti, është krijuar një institucion i veçantë, që merret me mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas DW, kjo është një çështje, që jo rrallëherë bëhet objekt debati në opinion, sidomos kur është fjala për publikimin e të dhënave private të njerëzve të politikës, apo të atyre, që kanë poste publike. Sipas vetë deputetëve, me këtë element të transparencës ka keqpërdorim politik të ligjit. Ndërkohë që vështirësi për institucionin e mbrojtjes së të dhënave personale ka dhe ndjekja e rasteve të abuzimeve në rrjetet sociale të internetit, si p.sh në “Facebook”. Deputetët Pirro Lutaj dhe Tritan Shehu mendojnë se problemi qëndron te ligji. Ky i fundit parashikon sanksione, edhe pse këto nuk janë fort efikase. Gjobat, që parashikohen, kapin vlerën e rreth 360 eurove, që për ekspertët konsiderohet si minimale, po të kihet parasysh që në Britaninë e Madhe, abuzimi dhe keqpërdorimi me të dhënat personale gjobitet deri në 0.5 milion paund.
#