E Diel, 1 Nëntor 2026

Të bllokuarit në Libi paditen nga pronari

Pesë nga marinarët akuzohen për shkatërrim prone, mashtrim dhe poshtërim të Republikës

Kundërshtitë mes pronarit të anijes “Brustel” dhe ekuipazhit të saj të bllokuar në Libi përfundojnë në prokurori. Ndërkohë, anija ndodhet në portin libian të Misuratës dhe agjencia libiane që kryen shërbimet për të ka lajmëruar të ndërpresë marrëdhënien me kompaninë nëse kapiteni do të vazhdojë të refuzojë lundrimin. “Kapiteni juaj refuzoi të lundrojë dhe kjo do të shkaktojë një problem të madh me autoritetin portual dhe atë doganor të Misuratës. Ju lutem kontaktoni kapitenin dhe kërkojini të nisë lundrimin për të shmangur shpenzime të tjera, në të kundërt ne do të ndërpresin përfaqësimin tonë si agjent për të shmangur më shumë probleme me të gjitha palët e interesuara”, thuhet në një e-mail që shënon datën 28 mars dhe ka në krye fjalët: Top Urgent. Një ditë më pas, agjenti Ahmed Drah, njofton se kapiteni deklaron se i gjithë ekuipazhi është kundër nisjes së lundrimit. Ndërkohë, familjarë të marinarëve thonë se ata janë të lodhur, në gjendje të rënduar dhe presin riatdhesimin. Një pjesë e ekuipazhit u prek dhe nga një sëmundje ngjitëse në Afrikë dhe u desh të mjekoheshin e të bëhej dezinfektimi i anijes. Një sërë akuzash të rënda janë ngritur nga pronari i anijes, Alban Tepshi, ndaj kapitenit dhe katër pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit të “Brustel”. Abuzues me alkoolin, jetën e natës dhe paratë e kompanisë, ndërsa anashkalojnë punën në det duke cenuar financat dhe imazhin e kompanisë. Këto janë pretendimet e pronarit që pranon se nuk ka paguar gjashtë prej marinarëve të anijes, pasi vlerëson dëmin e rëndë që i kanë sjellë, ndërsa marinarët e tjerë i kanë marrë pagat rregullisht: “Ato u janë dorëzuar familjeve të tyre, pasi marinarët janë në det, çdo datë 12 të muajit pasardhës”. Për çdo ditë qëndrimi të tepërt të anijes në Libi, ai duhet të shlyejë rreth 5 mijë dollarë. Ndryshe nga sa deklarojnë familjarë të marinarëve për braktisje dhe kërcënime nga pronari, si dhe gjendje të keqe teknike të anijes, pronari i saj duke treguar korrespondencën elektronike me agjencinë detare libiane “Neptun Shipping Lines Libya”, e cila e pati bllokuar më parë anijen për shkak të detyrimeve të papaguara, pretendon se anija është në gjendje të mirë teknike dhe mund të nisë lundrimin. Mashtrim, shkatërrim të pronës, shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe poshtërim të Republikës dhe simboleve të saj. Këto akuza të mbështetura në Kodin Penal janë ngritur nga avokati i kompanisë “Bruno” sh.p.k në Durrës ndaj pesë marinarëve të ekuipazhit prej 13 vetash. I formuluar pak ditë më parë, kallëzimi penal ka mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka kërkuar që dosjes t’i shtohen dhe provat shkresore të palës paditëse të përkthyera e noterizuara. Tepshi thotë se anija është nisur nga porti turk, Iskenderum, për në Ukrainë më 20 prill të vitit të kaluar dhe që këtu ka nisur, sipas tij, lundrimi i gjatë dhe problematik që i ka kushtuar më shumë se 2 milionë dollarë. Tepshi akuzon kapitenin Armando Ulqinaku, tre mekanikët e anijes dhe kuzhinierin se po bashkëpunojnë për t’i shkaktuar probleme firmës dhe vjedhur përmes mashtrimit. Në Nigeri, kompania u përballë me një gjyq. Pritësi i mallit për shkak të vonesave dhe dëmtimit të mallit nga uji që kishte hyrë në hambarë hapi proces gjyqësor që i kushtoi “Bruno” sh.p.k 168 mijë USD për dëmtimin dhe asistencën juridike. Akuzat e ngritura janë për shpenzime fiktive dhe marrëveshje me agjencitë për të ndarë fitimin. Tepshi thotë se ata janë përgjegjës për djegien e 2 elektromotorëve të timonit të anijes dhe transmisionit. Në portin Sousse të Tunizisë kapiteni nuk i përgjigjet kërkesës së kapitanerisë për t’u ankoruar dhe si rezultat kompania detyrohet t’i paguajë pritësit të mallit një dëmshpërblim prej 73 mijë eurosh. Në kallëzimin penal, Tepshi deklaron se çdo defekt përfshirë dhe saldimet kanë përfunduar, por anija vazhdon të qëndrojë në Misurata të Libisë, pasi kapiteni dhe ekuipazhi refuzojnë të nisen për në Algjer ku do të marrin ngarkesën e radhës, “duke mbajtur peng anijen dhe duke kërkuar nga autoritetet portuale atje bllokimin e saj”. Akuzat e ngritura ndaj pesë pjesëtarëve të ekuipazhit bazuar në Kodin Penal parashikojnë dënime nga gjobë deri në 10 vjet heqje lirie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›