Banorët e Thumanës vazhdojnë jetën në çadra
Që nga ajo ditë banorët jetojnë në kasollet e bagëtive dhe në çadra të improvizuara. Ata thonë se nuk kanë asnjë kusht për të bërë një jetë normale, madje mungon tërësisht uji i pijshëm dhe për ta siguruar atë dhe të udhëtojnë shumë larg. Ndërkohë fëmijët në pjesën më të madhe të kohës nuk shkojnë në shkollë nga mungesa e kushteve për të studiuar. Rreth një muaj më parë banesat e tyre u shembën pas fillimit të punimeve për zgjerimin e autostradës Fushë Krujë- Milot, ndërsa banorët u lajmëruan vetëm një orë përpara se të niste puna për shembjen e shtëpive. Ndërkohë situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, e megjithatë askush nuk ka shkuar të shohë mënyrën se si jetojnë banorët e Thumanës. Vetëm pak kohë më parë se të mbeteshin në qiell të hapur banorë të shumtë të fshatit Thumanë në Krujë kanë protestuar përgjatë rrugës nacionale Fushë - Krujë Mamurras. Duke bllokuar për mëse një orë qarkullimin e automjeteve. Shkak i protestës sipas tyre ka qenë mosdhënia nga ana e qeverisë e parave për banesat që tashmë janë shembur për të zgjeruar një pjesë të segmentit për autostradën Durrës-Kukës, e cila kalon në Thumanë. Banorët kanë pretenduar se vlerësimi i pronave të tyre është bërë nën kosto. Protestat e vazhdueshme të banorëve është shoqëruar edhe me praninë e policisë e cila ka ndjekur në distancë tubimin. Më pas banorët e 12 familjeve të fshatit Thumanë, të cilave iu prishën shtëpitë nga forcat policore për shkak të ndërtimit të autostradës, e kanë kaluar natën jashtë. Banorët kanë denoncuar dhunën, duke u shprehur se ishin duke mbrojtur pronën e tyre. Përplasja ka nisur pasi 12 familjet e Thumanës, nuk kanë pranuar masën e dëmshpërblimit të dhënë për pjesën e tokës ku do të kalojë autostrada, ndaj edhe për këtë arsye çështja është dërguar në gjykatë. Ndërsa sipas autoriteteve shtetërore, këto familje janë dëmshpërblyer sipas të gjitha ligjeve, ndaj kërkesat e tyre ishin të tepruara. Edhe pse për ta ishte caktuar sasia e parave që do të merrnin si dëmshpërblim për pjesën e tokës që do të prekej nga projekti i rrugës, 12 familjet nuk kishin larguar nga shtëpitë e tyre.
Last Updated on E Merkure, 19 Maj 2010 20:51