E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Ujit të Ftohtë, protesta për rrugën

Vlorë

Vijojnë protestat për infrastrukturën në qytetin e Vlorës. Kanë qenë banorët e lagjes “Uji i Ftohtë” që dje kanë bllokuar rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, në vendin e njohur si rruga mbi kampin e punëtorëve. Qëllimi i protestës ka qenë ndërhyrja në infrastrukturën e kësaj rruge, e cila aktualisht është e vetmja që lidh Sarandën dhe gjithë zonën e bregut me Vlorën.

Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të bashkisë për rehabilitimin e infrastrukturës në këtë zonë. Për 30 minuta, rreth 100 banorë të kësaj lagje kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks. Banorët i kanë kërkuar kreut të Bashkisë së Vlorës të mos kërkojë prej tyre vetëm votat, sikundër ka bërë në fushatë, por të shkojë të shohë se si jetojnë banorët e kësaj lagjeje të vjetër të qytetit të Vlorës. Ata kanë kërkuar zgjidhje dhe investime në infrastrukturë, duke pasur parasysh edhe faktin se këtu janë përqendruar shumë prej bizneseve turistike në qytet, por edhe për faktin se ky është i vetmi aks ku qarkullojnë mjetet që vijnë nga Saranda në drejtim të Vlorës. Banorët kanë sqaruar se kanë zgjedhur të dielën për të protestuar, për t’i treguar kryetarit të bashkisë se nuk mund të bëhen pushime në Vlorë, në një kohë kur infrastruktura është tejet e amortizuar. Rruga në lagjen “Uji i Ftohtë” është rehabilituar pjesërisht pak kohë më parë me çakull, por asnjëherë në të nuk është bërë investim i plotë. Banorët kanë kërkuar nga kryebashkiaku i Vlorës dhe administrata e bashkisë të ndërhyjë me investime në këtë aks, pasi në sezonin e verës nuk mund të qarkullohet në të. Tashmë ajo është tërësisht e pakalueshme, si pasojë e gropave të mëdha në gjithë gjerësinë e gjatësinë e konsiderueshme të këtij aksi, që lidh zonën e bregut me qytetin e Vlorës. Banorët kanë deklaruar se protestat e tyre do të vijojnë edhe në rast se nuk ndërhyhet nga bashkia për rehabilitimin e rrugëve e të infrastrukturës dhe do ta bllokojnë edhe më gjatë atë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›