Vlorë, përkujtohet 13-vjetori i tragjedisë së Otrantos
Kanë kaluar 13 vjet nga tragjedia e Otrantos dhe familjarët e viktimave ende apelojnë për ndihmë nga shteti. Ata vijojnë të kërkojnë drejtësinë e munguar, ndërkohë që dje në ceremoninë përkujtimore apeli i është drejtuar shtetit shqiptar, që t’i ndihmojë për marrjen e dëmshpërblimit dhe vënien në vend të drejtësisë. Dje, në përvjetorin e 13 të tragjedisë familjarët dhe të afërm të viktimave kanë shkuar në varrezat e qytetit të Vlorës ku kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule. Më pas kortezhi është zhvendosur në drejtim të Portit të Vlorës, nga ku janë hedhur lule në det dhe ndezur qirinj. Në homazhet e 13-vjetorit të tragjedisë së Otrantos, familjarët janë shoqëruar edhe nga dy deputetët e PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik Cipi, si dhe drejtues të tjerë lokalë të PD-së në Vlorë, të cilët kanë deklaruar se do të jenë një mbështetje e fortë për këta familjarë në seancat gjyqësore me shtetin italian, të cilat janë caktuar tashmë: e para do të zhvillohet më 20 prill në Shqipëri dhe e dyta më 4 maj në shtetin italian. “Kjo ditë provon se kur segmente apo pjesë të politikës kërkojnë të realizojnë qëllimet e tyre me se s’bën, e përtej kontureve kushtetuese rezultojnë ngjarje të tilla që i vuajnë edhe sot këto familje. Kjo ditë duhet të jetë një ditë refleksioni për të gjithë ne”, ka thënë deputeti Kollozi. Ndërkohë, kryetarja e Shoqatës së të Mbyturve të Otrantos, Pushime Cala, ka thënë për mediat se: “Gjykata italiane është tallur me ne, si dhe avokatja e kësaj çështjeje, Natasha Shehu, po na gënjen si për çështjen ashtu dhe për ndihmat që shteti italian akordoi për çdo të mbytur. Kemi 13 vjet që na mohohen të drejtat dhe sorollatemi nga një proces në tjetrin. çështja e 57 viktimave të konfirmuara dhe 24 të humburit ende sorollatet në instanca të ndryshme. Duke kaluar nga gjyqësori italian në atë shqiptar, madje tentativat janë që çështja e Otrantos të çohet deri në Gjykatën e Hagës”.
Më 28 mars të vitit 1997, rreth 115 shtetas shqiptarë u nisën me anijen “Katri i Radës”, drejt brigjeve italiane. Mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Por pas rreth 4 orësh lundrimi në det, kanë mbërritur në kanalin e Otrantos, ku u goditën nga anija luftarake “Sibila”. Për pasojë 57 persona u mbytën, 24 janë ende të deklaruar si të humbur, ndërkohë që vetëm 34 prej tyre mundën të shpëtojnë.
#