Policët, 6 muaj pa u paguar për orët suplementare
Të gjithë efektivët e Drejtorisë së Policisë Qarku Fier nuk kanë marrë pagesat shtesë që u takojnë me ligj. Bëhet fjalë për efektivët e rolit bazë, por edhe të atyre me grada të larta. Sipas shumë prej policëve të tre komisariateve të Fierit, Lushnjës e Mallakastrës mësohet se ata nuk janë paguar për më tepër se gjashtë muaj për orët suplementare. “Nuk jemi paguar për orët që qëndrojmë gjatë zhvillimit të ndeshjeve sportive. Gjatë një muaji në qytetin e Fierit zhvillohen dy ndeshje në fushën pritëse. Për gjashtë muaj me radhë asnjë nga pjesëmarrja jonë në dy ndeshje nuk është realizuar”. Kështu ka thënë për gazetën polici me iniciale Q.G. Edhe kolegë të tjerë të policit të sipërcituar tregojnë se nuk kamë marrë pagën që u takon si pasojë e frekuentimit të punës gjatë orëve të natës. “Për tre muajt e fundit nuk jemi paguar për punën e kryer gjatë orëve të natës. Kemi kërkuar pranë drejtuesve të tanë, por ata na kanë përcjellë për te seksioni i financës. Në këtë të fundit askush nuk të kthen përgjigje. Kur të na i hedhin do t’i marrim. Nuk kemi se çfarë bëjmë”, thotë A.V., një tjetër efektiv i uniformave blu të Fierit. Orët e natës dhe orët suplementare për efektivat e policisë jo vetëm në shkallë qarku, por edhe vendi paguhen me vështirësi ose vonesë. Madje ka pasur raste që janë harruar fare. Kjo praktikë ka vite që po aplikohet në organet e Ministrisë së Brendshme. Asnjë nga drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier nuk ka dashur të japë shpjegime lidhur me mospagesat e orëve shtesë dhe të orëve të natës. Nëpërmjet zyrës së informacionit pranë Komisariatit të Fierit ku ndodhet edhe drejtoria mësohet se ka qenë seksioni i financës ai që ka vonuar dosjen me të dhënat përkatëse. Si pasojë e vonesës së dosjeve edhe dërgimi i tyre në ministri është bërë me vonesë.
#