Fati misterioz i dibranëve të zhdukur në det
Më 9 marsin e vitit 1996, të premten duke u gdhirë e shtunë, 32 djem nga Dibra u zhdukën si kripa në ujë në kanalin e Otrantos, teksa udhëtonin me skaf drejt Italisë. As mëngjesi i së shtunës dhe ditëve më pas nuk solli lajme për ta. çuditërisht heshtën edhe mediat e kohës, megjithëse ngjarja kishte përmasa tragjike. Heshtje edhe nga politika, si nga e djathta në pushtet në atë kohë, ashtu edhe nga e majta në opozitë. Dy forcat kryesore politike ishin të angazhuara për zgjedhjet parlamentare të 26 majit dhe nuk u interesonte publikimi i kësaj ngjarjeje të rëndë. Nëse kjo heshtje ishte e justifikueshme në atë kohë për të djathtën në pushtet, Partinë Demokratike, e pajustifikueshme mbetet heshtja e socialistëve që ndodheshin në opozitë.
Autoritetet shtetërore të kohës, edhe pse u vunë nën presionin e kërkesave të familjarëve të të zhdukurve, në asnjë moment nuk u prononcuan zyrtarisht për këtë ngjarje. Ndër të paktat njoftime zyrtare ishte një fonogram i ardhur nga Vlora në adresë të Komisariatit të Policisë në Peshkopi, ku njoftohej se një djalë i ri nga fshati Kllobçisht i Maqellarës, Sulejman Qoku, ishte gjetur i mbytur në brigjet e Italisë. Pas këtij njoftimi pasuan edhe disa artikuj për këtë ngjarje në gazetat e kohës. E më pas, përsëri heshtje. Vetëm pas 9 vitesh, më në fund shteti i deklaroi 32 dibranët të mbytur në kanalin e Otrantos. Por, përkundër këtij deklarimi, familjarët e të zhdukurve mbetën tejet dyshues për fatin e të afërmve të tyre.
14 vite më vonëNë këto ditë marsi, plot 14 vite pas kësaj tragjedie, marrim rrugën drejt Maqellarës, për t’u takuar me disa nga familjarët e 32 dibranëve të zhdukur. Sipas një adrese që kishim marrë, i drejtohemi fshatit Kllobçisht, fare pranë Doganës së Bllatës, në kufi me Maqedoninë. Katër djem nga ky fshat patën fatin e keq të zhduken në Otranto më 9 marsin e vitit 1996. Fillimisht ndalojmë në familjen e Musa Qokut, babai i Naim Qokut, njërit nga të zhdukurit e kësaj tragjedie. Mehmetin, vëllain e madh të Naimit të zhdukur, e gjejmë duke punuar në kopsht. Ai, sipas zakonit, na fton të hyjmë në shtëpi. Brenda pak minutash vijnë e na takojnë familjarët e tjerë të Naimit, babai 90-vjeçar Musai, vëllai Hakiu, nusja e xhaxhait, Setkia, dhe djali që ende nuk ka mbushur 16 vjeç, Ermali. Edhe pse në dukje të qetë, tek ata vërehet lehtë brenga që i ka mbërthyer për fatin e djalit të zhdukur, siç thonë ata vetë, “si kripa në ujë”. Por, edhe pse të brengosur, ashtu siç thuhet se shpresa vdes e fundit, familjarët jo vetëm që shpresojnë, por edhe besojnë se djali i tyre së bashku me shokët e tjerë është gjallë. Mehmeti, vëllai i madh i Naimit, na thotë: “Kemi bërë mjaft përpjekje për të mësuar rreth fatit të tyre, por nga strukturat shtetërore në atë kohë na është thënë se ata janë shpallur të zhdukur në det. Por ne dyshojmë se janë gjallë, pasi kufoma e Sulejman Qokut që u gjet në brigjet e Italisë, është gjetur e lidhur pas mjetit të shpëtimit”. Babai plak i Naimit kërkon ndihmë nga shteti për të zbardhur fatin e të birit.
“Kam luftuar për çlirimin e vendit në brigadat partizane, deri edhe në Maqedoni e Kosovë dhe mendoj se e meritoj sot që shteti të kujdeset sadopak për gjetjen e djalit tim, thotë ai me bindjen e plotë se i biri ende është gjallë”.
Janë gjallë?!Vëllai i Naim Qokut, Hakiu, thotë se atë natë janë zgjedhur nga shoqëruesit e skafit njerëzit që do niseshin drejt Italisë, ku nga 32 persona, 29 kanë qenë dibranë, bashkë me dy skafistët dhe shoqëruesin e tyre. “Vëllai jeton, ata janë në Greqi në burgun e sigurisë së lartë në Korfuz. I kanë parë emigrantë shqiptarë në Greqi në sekuenca televizive lajmesh në televizionet ANTENA dhe MEGA, ndaj shteti duhet të lëvizë për gjetjen e tyre”, e përfundon fjalën e tij ai. Ndërsa Ermal Qoku, djali i vetëm i Naimit, që nuk e ka njohur babanë e tij, pasi kur është larguar ai ka qenë vetëm 1 vjeç e gjysmë, me lot në sy apelon: “I lutem shtetit që të më gjejë babën”, dhe nuk mund të flasë më tej, pasi mbytet në lot. Ndërkohë, nënën e Naimit nuk mundemi ta takojmë, pasi ajo dergjet e sëmurë në shtrat. Djemtë kujdesen që ajo të mos marrë vesh për ardhjen tonë, pasi sa herë t’i kujtosh Naimin, ajo bëhet edhe më keq. Kudo që të shkosh, në familjet e 32 dibranëve të zhdukur në Otranto mëson se dyshimet e tyre që fëmijët janë gjallë, janë kthyer tashmë në bindje.
Riza Keshi është i vëllai i një tjetri të zhdukuri, Sigurim Keshit, i cili është interesuar gjatë për fatin e 32 dibranëve të zhdukur në mënyrë misterioze në dallgët e Otrantos. Ai pohon për “Shqip” se është tejet i sigurt se i vëllai dhe bashkudhëtarët e tij janë ende gjallë. Klandestinët, sipas tregimit të Riza Keshit, kanë zëvendësuar të burgosurit e larguar nga burgu, duke i regjistruar me emrat e të arratisurve nga ky burg. Madje, sipas tij, dy nga të humburit i kanë telefonuar radios “Arza” në Kumanovë të Maqedonisë, ku kanë konfirmuar prezencën e tyre në burgun e Korfuzit. Ndërkohë që ai përmend edhe fakte të tjera, të cilat shtojnë dyshimet se dibranët e zhdukur janë gjallë, nuk ngurron të thotë se zgjidhja e këtij problemi mbetet e vështirë, pasi autoritetet greke nuk do ta lejojnë zbulimin e këtij skandali.
Gjithsesi, edhe pas 14 vitesh nga zhdukja misterioze e 32 dibranëve klandestinë, familjarët vazhdojnë të mbeten ende në ankth për fatin e tyre. Me bindjen dhe dëshirën që ata të jenë gjallë, qoftë edhe në një “burg të sigurisë së lartë”, të mbyllur si në legjendat e moçme, familjarët vazhdojnë të kërkojnë me insistim të vërtetën mbi fatin e fëmijëve të tyre dhe për këtë ata apelojnë edhe njëherë tjetër, që shteti të vihet në lëvizje për këtë qëllim, pasi e vetmja shpresë për ta mbetet shteti dhe vetëm shteti.
#