E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmben autobusin për ikur në Greqi

I riu nga Patosi vuan nga çrregullime psikike. Rrezikoi jetën e gjashtë personave

Një 32-vjeçar nga qyteza e Patosit, i sëmurë mendor prej shtatë vjetësh, ka vënë në rrezik jetën e gjashtë personave dje. Eduart Rexhepi ka rrëmbyer një autobus që udhëtonte nga Tirana në drejtim të Sarandës edhe pse brenda tij ndodheshin gjashtë pasagjerë. Rrëmbimi që ka zgjatur vetëm 38 minuta ka nisur nga fshati Fratar i Rrethit të Mallakastrës dhe ka përfunduar në fshatin Kras, në rrethin e Tepelenës.

Vetëm pak pas mesditës së djeshme, rreth orës 12:20 autobusi i linjës Tiranë–Sarandë me targa SR4911B, me 32 pasagjerë ka ndalur në qendër të fshatit Fratar. Nga autobusi kanë dalë për të pushuar 26 pasagjerë, ndërkohë që gjashtë prej tyre nuk kanë preferuar të dalin për shkak të reshjeve të shiut që binin me intensitet. Kryetarja e Komunës Fratar, Sabire Hoxhaj, që rastësisht ka qenë prezent në vendngjarje, tregoi për “Shqip” se: “pasagjerët, shoferi dhe fatorinoja dolën nga autobusi dhe hynë në një lokal në qendër të fshatit. Aty qëndruan vetëm pak minuta, kur kanë parë se po u ikte autobusi dhe lajmëruan menjëherë policinë”. Shoferi dhe fatorinoja i autobusit kanë dëshmuar për policinë pas ngjarjes, se një i ri u është afruar ndërsa po drekonin dhe u ka kërkuar që ta merrnin pa lekë deri në Sarandë. Vetëm pak minuta më pas e kanë parë të hipte në autobus dhe të largohej bashkë me të.

Në këto momente ata kanë njoftuar policinë e Ballshit. Burimet policore pohojnë për “Shqip” se: “me gjashtë pasagjerë në bord nga të cilët tri gra dhe dy fëmijë, pengmarrësi është nisur në drejtim të Jugut”. Gjatë rrugës, duke qenë se nuk kishte ngarë ndonjëherë autobus dhe për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, Rexhepi ka shkaktuar disa aksidente, fatmirësisht pa shkaktuar viktima.
Aventura e 32-vjeçarit ka përfunduar në kufirin mes dy rretheve Mallakastër dhe Tepelenë, për shkak të zjarrit që ka shpërthyer papritur në fund të autobusit. Në afërsi të rezervuarit të Krasit, pasi ka parë tymin, pengmarrësi ka zbritur gjashtë pasagjerët dhe ka vijuar edhe për disa metra rrugën. Por kur zjarri është shtuar ai ka zbritur edhe vetë.

Në këto kushte policia ka mundur të vërë në pranga 32-vjeçarin dhe të nisë punën për fikjen e zjarrit që kishte përfshirë autobusin. Lidhur me djegien e autobusit policia deklaron se flakët mund të kenë ardhur si pasojë e drejtimit të mjetit me frena dore të ngritura, por nuk përjashtoi edhe mundësinë e shpërthimit të ndonjë granate. Në autobus janë djegur të gjitha çantat dhe bagazhet e pasagjerëve. Këta të fundit të alarmuar thonë se u janë djegur edhe dokumente të rëndësishme.

Drejtues të policisë lokale nuk kanë dhënë një motiv zyrtar për këtë ngjarje, ndërkohë që thonë se autori pas shoqërimit fillimisht në Komisariatin e Ballshit dhe më pas në Fier ka qenë tepër i çoroditur në deklaratat e tij, por ka thënë se donte të shkonte në Greqi. Ndërkohë, hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, për të sqaruar rrethanat se si i sëmuri mendor arriti të shtinte në dorë çelësat e autobusit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›