Nëna: Përpara dy ditësh theri qenin me thikën e bukës
Eduart Rexhepi, banor i Lagjes së Re në Patos, vuante prej shtatë vjetësh nga çrregullime psikike. Ai ka qenë shpeshherë edhe në spitalin psikiatrik të Vlorës. Së fundmi në spital ai ka qenë dy muaj më parë, nga ku doli sepse paraqiste përmirësim të gjendjes mendore. Eduarti jeton me të ëmën Hatixhenë dhe të motrën, Bedrien. I ati ka tre vjet që ka vdekur, ndërkohë që tre vëllezërit dhe dy motrat e tjera janë martuar dhe jetojnë në Fier dhe në Greqi. Sipas dëshmive të të afërmve, Eduarti, disa vjet më parë nisi të konsumonte drogë dhe shtatë vjet më parë, duke drejtuar një makinë u aksidentua rëndë në kthesën e Ballshit. Përplasja ndikoi në shëndetin e 32-vjeçarit, i cili nisi të shfaqë probleme mendore. Dje, nëna e tij Hatixheja, e cila ka vetëm pak vite që ka dalë në pension është tmerruar kur në portën e banesës njëkatëshe janë shfaqur dhjetëra policsë. Ata kanë kërkuar prej saj të dhëna për Eduartin, ndërkohë që kanë kryer kontroll të banesës.
“Dy javët e fundit Eduarti ka qenë shumë rëndë nga ana e mendore. Mezi ia jepnin ilaçet. Dy ditë më parë ai arriti deri atje sa theri me thikën e bukës qenin e shtëpisë. Hëngrëm drekë dhe pjatën e fshiva me një copë bukë të cilën më pas ia hodha qenit. Qeni kuisi nga gëzimi, por kjo e shqetësoi Eduartin, i cili mori thikën duke e bërë copa-copa. Unë mora time bijë dhe dola te porta jashtë banesës. Më vinte turp të kërkoja ndihmën e fqinjëve. Më pas ai e groposi qenin në oborrin e shtëpisë”, tregon Hatixheja, ndërsa dridhet e tëra. Pas kësaj ngjarjeje, ajo lajmëroi djalin e madh, Spartakun, i cili për dy net qëndroi pranë nënës për të frenuar dhunën e të vëllait. “I bënë gjilpëra dhe u duk sikur u qetësua. Sot në mëngjes kur iku djali i madh, doli edhe Eduarti. Diku nga ora 09:00 e mëngjesit u kthye në shtëpi, ndërroi bluzën, më kërkoi 200 lekë, për cigare dhe iku prapë. E kërkova gjithandej dhe nuk e gjeta dot, ndërkohë që tani policia më tregoi se çfarë kishte bërë”, tregon për “Shqip” Hatixheja.
#