E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese rrëzon pezullimin e ligjit Antimafia

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi pezullimin dhe tashmë pret shfuqizimin si antikushtetues

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për pezullimin e ligjit të ri “Antimafia”, i cili ka hyrë në fuqi në muajin janar të këtij viti dhe aktualisht Prokuroria e Krimeve të Rënda ka realizuar kërkesat e para për sekuestro ndaj pronave me prejardhje të dyshimtë kriminale. Ligji konsiderohej nga KSHH me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, pasi barra e provës për një pronë të dyshimtë kriminale i takon individit dhe jo shtetit, pra prokurorisë. Një tjetër parregullsi ishte se sekuestrimi i pasurisë realizohet pa një dosje penale, por vetëm në bazë të indiceve të policisë se një shtetas merret me krim të organizuar. Nisur nga parregullsitë e lartpërmendura, KSHH iu drejtua disa javë më parë Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: shfuqizimin e ligjit të ashtuquajtur “Antimafia” dhe pezullimin e tij deri sa të shprehet kjo e fundit. Burime të konfirmuara të gazetës “Shqip” thanë se kërkesa e dytë, pra pezullimi deri sa të shprehet gjykata, është rrëzuar dhe tashmë pritet që kërkesa e KSHH të kalojë në seancë gjyqësore. Ndërkohë, drejtuesja ekzekutive e Komiteti Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, e kontaktuar nga gazeta, ka pranuar se në zyrën që drejton ka ardhur një shkresë zyrtare nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës, ndërsa nuk është informuar për datën e seancës gjyqësore dhe relatorin e çështjes që do të shqyrtojë kërkesën për shfuqizimin e këtij ligji që ka prekur drejtpërdrejt dhe tërthorazi një pjesë të mirë të shqiptarëve, që pasuritë e vëna pas viteve ‘90 i kanë informale dhe të palegalizuara.
Me ligjin e ri, poseduesi i çdo prone të dyshuar duhet të provojë në gjykatë prejardhjen e saj. Ligji i ri “Antimafia” përcakton se pasuritë që dyshohet se janë vënë në mënyrë jo të ligjshme, sekuestrohen. Ligji është miratuar vetëm me votat e mazhorancës së djathtë dhe është kundërshtuar nga opozita e majtë. Hartuesit e ligjit përcaktuan se ku do të godiste të ashtuquajturat qarqe mafioze, të cilat pavarësisht problemeve me drejtësinë, vazhdonin të përfitonin nga pasuritë e vëna në mënyrë të jashtëligjshme, pas shfuqizimit të ligjit të mëparshëm nga Gjykata e Lartë. Në disa dalje publike, opozita socialiste do të deklaronte se në kushtet e ekonomisë informale, mjaft prona të shqiptarëve janë vënë pa kaluar në rrugët ligjore. Si të tilla ajo ka përmendur veçanërisht pronat e vëna nga emigrantët shqiptarë, të cilët prej vitesh po sjellin para në Shqipëri në rrugë jobankare. Opozita shprehej se në një situatë të tillë mund të sjellë edhe abuzime me zbatimin e këtij ligji.

Megjithatë, përpos deklaratave politike, nismën për shfuqizimin e ligjit të shumëdebatuar e mori Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke bërë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Edhe grupet e biznesit u shprehën të alarmuara në lidhje me efektet reale që do të sjellë zbatimi i ligjit “Antimafia”. Miratimi i tij në Kuvend konsiderohet si një masë drastike dhe e panevojshme për kushtet e Shqipërisë, duke krijuar një klimë presioni mbi biznesin, por edhe tek individët. Më shumë se pasojat negative në ecurinë e bizneseve, aplikimi i një ligji të tillë, sipas kreut të Konfindutrias, Gjergj Buxhuku, rrezikon të ardhurat e mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët në shumicën e rasteve pa dëshirën e tyre punojnë në rrugë informale, duke mos mundur të deklarojnë të ardhurat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›