Policia e Shtetit hyn në Lazarat pas 12 vjetësh
Policia e Shtetit rikthehet në Lazarat pas 12 vjetësh. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës njoftuan dje se ka nisur patrullimi i rregullt në Komunën e Lazaratit. Prej vitit 1998, kur në Lazarat u plagosën shtatë anëtarë të forcave speciale RENEA, policia nuk hynte në këtë fshat të përfolur për kultivimin e drogës dhe përplasje me policinë. Drejtoria e policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se patrullat e përgjithshme të policisë së rendit do të qëndrojnë në Komunën e Lazaratit me 3 turne.
Rikthimi i uniformave blu në Lazarat vjen pas një sërë deklaratash të anëtarëve të qeverisë për vendosjen e autoritetit të shtetit edhe në këtë zonë, që së fundi është përfshirë edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe shihej si një pengesë për heqjen e vizave dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Megjithatë, hyrja e djeshme e policisë në Lazarat ka qenë vetëm formale. Vetëm gjatë këtij viti Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim një numër personash me banim në këtë fshat, por edhe pse një patrullë ndodhet tashmë nëpër rrugët e Lazaratit, asnjë kontroll nuk është kryer në shtëpitë e personave në fjalë.
Gjithsesi, në Gjirokastër besojnë se këtë verë netët do të jenë të qeta, pasi në prani të policisë lazaratasit nuk mund të përsërisin ritualin e të shtënave me armë.
#